E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Këtë herë s’do e bësh reformën zgjedhore sipas interesit tënd”

19-09-2011 / Gazeta 55

Aleatët e PS-së shënjestrojnë Edi Ramën

Diskutimet politike për reformën e re zgjedhore rikthejnë përplasjet brenda opozitës. Partia Socialiste është vënë nën presion nga të “vegjlit” për të marrë parasysh edhe kontributin e tyre, në funksion të hartimit të kodit të ri zgjedhor.
Ndryshe nga çfarë u instrumentua në 2008-ën, ku edhe pse Partia Demokratike mblodhi amendamentet e partive të vogla të djathta, nga ana tjetër Partia Socialiste kërkoi me ngulm të asgjësonte çdo lloj impakti të aleatëve të majtë. E njëjta formulë është menduar nga selia rozë edhe për kodin e ri zgjedhor, që do t’i paraprijë përgatitjes së zgjedhjeve parlamentare të 2013-ës. Por, aleatët e Partisë Socialiste e kanë kuptuar hilen dhe kanë kërkuar me ngulm që të jenë pjesë e Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore.
Të vegjlit do t’i paraqesin nesër kryesocialistit Edi Rama në tryezën e parë zyrtare të partive opozitare, propozimet e tyre me shkrim lidhur me reformën zgjedhore, ndërsa rreshtojnë disa prioritete.
Nisur dhe nga rekomandimet e OSBE/ODIHR-it, por dhe të kreut të këtij Misioni, Xhonatan Stonstrit, reforma zgjedhore duhet të përfshijë si partitë parlamentare, ashtu dhe ato jashtë Parlamentit. Aleatët e PS-së e shohin këtë pikë shumë të rëndësishme, pasi siç shprehen ata, reforma aktuale e hartuar dhe miratuar nga dy partitë kryesore, PD-PS, vetëm dëmtoi demokracinë dhe zgjedhjet në Shqipëri.
“Komisioni Parlamentar për Reformën Zgjedhore të mos jetë bipartizan, sepse produkti do të jetë i njëjtë me atë të 2008-s. Duhet të jetë një komision me parti parlamentare dhe joparlamentare, me partitë kryesore sipas rezultatit të fundit zgjedhor. Nuk do të pranojmë që të përfaqësohemi në Komisionin e posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore nga Partia Socialiste. Kërkojmë të jemi pjesë e këtij komisioni dhe me të drejtë vote”, u shpreh Paskal Milo.
Ndërsa kreu i PDK-së, Nard Ndoka, u shpreh se “të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR-it janë të qarta dhe flasin për një prezencë të të gjitha partive parlamentare, dhe jo në reformën zgjedhore. Nuk duhet të jetë bipartizan, sepse ka dhënë rezultate shumë negative për demokracinë në Shqipëri”.
Sipas kreut të PSV 91, Petro Koçi, “duhet të gjendet një formulë që të kapërcejë nivelin dypartiak të bërjes së reformës zgjedhore në Komisionin Parlamentar për Reformën”.
Asaj që i druhen të vegjlit është pikërisht një reformë zgjedhore me miratimin edy partive të mëdha politike. Edhe pse përgjegjësia për indiferentizmin politik ndaj të vegjëlve opozitare bie mbi Partinë Socialiste, kjo e fundit për të tilla procese reformash kërkon t’i lerë pas dore, duke krijuar disbalanca të papranueshme apo edhe një lloj shpërfillje në momentet kur s’është fjala për kapital elektoral, por vetëm për sigurimin e produktit të parë, për t’i paraprirë feedback-ut zgjedhor të 2013-s. 

Paskal Milo
“Komisioni Parlamentar për Reformën Zgjedhore të mos jetë bipartizan, sepse produkti do të jetë i njëjtë me atë të 2008-s. Duhet të jetë një komision me parti parlamentare dhe joparlamentare, me partitë kryesore sipas rezultatit të fundit zgjedhor. Nuk do të pranojmë që të përfaqësohemi në Komisionin e posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore nga Partia Socialiste. Kërkojmë të jemi pjesë e këtij komisioni dhe me të drejtë vote”

Nard Ndoka
“Nuk duhet të jetë bipartizan, sepse ka dhënë rezultate shumë negative për demokracinë në Shqipëri”

Petro Koçi
“Duhet të gjendet një formulë që të kapërcejë nivelin dypartiak të bërjes së reformës zgjedhore në Komisionin Parlamentar për Reformën”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›