Rama kërkon të mbajë peng parlamentin
Ashtu siç bën me partinë e tij, Edi Rama po tenton të paralizojë edhe parlamentin. Përveç bllokadës së vënë ndaj ligjeve që kërkojnë 84 vota, me ndryshimet e propozuara në rregulloren e Kuvendit, lideri i opozitës po kërkon të mbajë peng edhe procesin e rregullt ligjvënës në parlament, duke përdhosur edhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese, të cilat kanë përcaktuar mënyrën se si merren në shqyrtim dekretet për emërimin e anëtarëve të institucioneve kushtetuese
Partia Socialiste nuk sheh alternativë tjetër veç bllokimit të seancave të Kuvendit të Shqipërisë, duke rikthyer krizat e mëparshme, me qëllim mbajtjen peng të ligjeve dhe reformave të integrimit. I gjithë aksioni i dirigjuar nga Edi Rama përmban në vetvete sindromën e “bilbilave”, “përplasjes së këmbëve” apo sherrnajës së pazakontë thjesht e vetëm me qëllim krijimin e barrierës ndaj ligjeve dhe reformave.
Selia rozë ka paralajmëruar se do kushtëzojë ligjet me 3/5 me draftin e propozimeve të saj, që kanë të bëjnë me ndryshimin e rregullores së Kuvendit, si rikthimin e debatit 60 minutësh në fillim të seancës, rikthimin e votës së fshehtë të deputetëve për zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese si dhe disa pika të tjera të rregullores së Kuvendit, të cilat lidhen me penalitetet ndaj deputetëve në rast të shkeljes së rregullores. Kuvendi i Shqipërisë shënoi një standard evropian në shkurt të këtij viti me adaptimin e rregullores së re e cila në solli në parlament një frymë konstruktive të zhvillimit të punimeve, duke shmangur thuajse plotësisht vandalizmin dhe huliganizmin e përfaqësuesve të opozitës.
Partia Socialiste kërkon të heqë votën nominale për zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe Kushtetuese, pavarësisht se adaptimi i një praktike të tillë në votimin e gjyqtarëve në Kuvend, është modeli i parlamentarizmit perëndimor. Partia Socialiste kërkon rikthimin e “votës së fshehtë”, për të demaskuar me çdo kusht frymën parlamentare dhe demokratike.
Përmes “votës së fshehtë” opozita tenton të mësyjë pazaret politike si dhe të përdorë deputetët si produkt tregu. Por, aplikimi i standardit të “votës së hapur” në vendet perëndimore ka treguar se përgjegjshmëria e ligjvënësve është gjithnjë e më e madhe nëse sytë e qytetarëve janë mbi të. Për rastin e “votës së fshehtë” apo të votës sekret nuk mund të flitet për standard perëndimor, për sa kohë ligjvënësi për interesa të ndryshme, kuptueshëm politike, mund të sjellë devijancën e votës.
Transparenca gjatë një procesi të tillë është dhe mbetet modeli më i pranueshëm dhe konstruktiv, duke çuar në një standard më të lartë emërimin e funksionarëve të lartë të gjyqësorit. Për një çështje të tillë është shprehur edhe Gjykata Kushtetuese, e cila ka lënë në fuqi ndryshimin e rregullores së Kuvendit në shkurt të këtij viti, me arsyetimin se Kuvendi mund të vendosë me votë nominale zgjedhjen e anëtarëve të Gjykatës së Lartë dhe Kushtetueses.
Një tjetër pikë tjetër që lakohet nga socialistët është debati 60 minutësh. Me ndryshimin e rregullores 60 minutëshi zhvillohet në fund të seancës së Kuvendit, pasi janë diskutuar dhe miratuar ligjet. Ndërsa selia rozë sheh të udhës në kursin e saj politik, rikthimin e atij standardi që s’bënte gjë tjetër veçse pajtonte bojkotin e opozitës ndaj ligjeve dhe reformave. I gjithë ky aksion është në kuadër të axhendës së bllokimit të ligjeve të integrimit. Edhe gjatë javës që kaloi, u pa qartë se PS vazhdon të jetë nihiliste dhe mos bashkëpunuese në Kuvend.
Socialistët refuzuan të miratonin Kodin Ajror, Hekurudhor e Detar në komisionet parlamentare, ligje të cilat kërkojnë 3/5 e votave pjesë e rekomandimeve që Shqipëria të marrë një përgjigje pozitive nga Komisioni Europian në muajin tetor në lidhje me statusin e vendit kandidat në BE. Ndërsa, ndoshta rastësisht dhanë konsensusin për “Kodin Rrugor”, veprim për të cilin edhe kanë marrë kritikat më të ashpra nga kryesocialisti Edi Rama.
Rregullorja e Parlamentit (Si është)
1/1. Në rastin e dhënies së pëlqimit të Kuvendit për dekretet e Presidentit të Republikës për emërim në Gjykatën Kushtetuese ose në Gjykatën e Lartë votimi është nominal.
Propozimet e PS
Neni 4
1. Në nenin 45, fjalët “Në fund të rendit të ditës” zëvendësohen me fjalët “Para fillimit të seancës”.
2. Në po këtë nen, në fjalinë e fundit, fjalët “në fund të seancës plenare pasardhëse” zëvendësohen me fjalët “në fillim të seancës plenare pasardhëse”.
Neni 45
Çështje që s’janë në rendin e ditës
(Ndryshuar me vendimin e Kuvendit nr. 88, datë 24. 02. 2011)
(Si është)
Në fund të rendit të ditës çdo deputet mund të diskutojë për çështje të ndryshme që ai i konsideron se duhen bërë publike në seancë plenare. Në këtë rast deputeti nuk mund të flasë më shumë se 5 minuta dhe, nëse diskuton në emër të grupit parlamentar, jo më shumë se 8 minuta. Drejtuesi i seancës kujdeset të harmonizojë diskutimet e çdo deputeti, sipas përkatësisë në grupin parlamentar. Koha e përgjithshme për diskutimin e këtyre çështjeve nuk mund te jetë më shumë se 60 minuta. Në rast se me diskutime kalohet ky afat, Kryetari i Kuvendit ndërpret diskutimet e deputetëve dhe atyre që kanë ngelur pa diskutuar u jepet fjala në fund të seancës plenare pasardhëse.
Përjashtimi i deputetëve për shkeljen e rregullores
Neni 5
Në nenin 63, shkronja “ç” fjalët “21 ditë” bëhen “15 ditë”
Neni 63
Masat disiplinore
(Ndryshuar shkronja ç) me vendimin e Kuvendit nr. 88, datë 24.2.2011)
(Si është)
Masat disiplinore që zbatohen ndaj deputetëve janë:
a) tërheqje vëmendjeje;
b) vërejtje;
c) përjashtim nga seanca plenare;
ç) përjashtim nga pjesëmarrja në komisione dhe në seancë plenare deri në 21 ditë.
Neni 6
Në nenin 64, pika 5 shfuqizohet.
Neni 64
Masa disiplinore e tërheqjes së vëmendjes dhe vërejtjes
(Shtuar pika 5 me vendimin e Kuvendit nr. 88, datë 24.2.2011)
(Si është)
5. Kur deputeti pengon zhvillimin e rregullt të seancës, nëpërmjet zaptimit të foltores dhe moslejimit të deputetit të radhës të marrë fjalën, për më shumë se 2 minuta, atëherë Kryetari i Kuvendit i tërheq vërejtjen dhe e paralajmëron për marrjen e masës së përjashtimit në rast vazhdimi.
Në rast se deputeti vazhdon të mbajë të zaptuar foltoren edhe pas tërheqjes së vërejtjes, për më shumë se një minutë, përjashtohet nga seanca plenare dhe komisionet me maksimumin e parashikuar në nenin 65 të Rregullores.
Propozimi socialistëve
Neni 7
Në nenin 65, pika 2, fjalët “nga 7 deri në 21 ditë” zëvendësohen me fjalët “nga 2 deri në 15 ditë”.
Neni 65
Masat disiplinore më të rënda
(Ndryshuar pika 2 me vendimin e Kuvendit nr. 88, datë 24.2.2011)
(Si është)
2. Kur deputeti bën thirrje për përdorim dhune, provokon rrëmujë në seancë që pengon zhvillimin e saj të rregullt, fyen ose kërcënon deputetët e tjerë, anëtarët e Këshillit të Ministrave ose përdor fjalë fyese për Presidentin e Republikës apo institucione të tjera shtetërore ndalohet të marrë pjesë në punimet e Kuvendit në seancë plenare dhe në komisione nga 7 deri në 21 ditë.