Bunjo Lungov, magjia me kukullat dhe teknologjinë
Nuk ke qenë asnjëherë fëmijë, nëse të paktën një herë në jetë nuk ke shkelur në atë skenën e vogël, magjike të teatrit të kukullave. Këtë vit, Teatri i Kukullave festoi dhe 60-vjetorin e krijimit. Në 60 vjet, në atë skenë të vogël janë ngjitur mijëra personazhe, me të cilët u rritën breza të tërë fëmijësh. Por si për të lënë pas të kaluarën, këto ditë skena e vogël e Teatrit të Kukullave do të ketë, për herë të parë në 60 vjet, një pamje tjetër. Një tjetër profil kukullash-njerëzore, do të vihet në atë skenë, që në dritat e projektorëve dhe teknologjisë së fundit, do të sjellë magjinë e vërtetë nën ndikimin e së cilës jo vetëm mendja e një fëmije mund të fluturojë mbi re, por edhe një i rritur do të shihte, vetëm në pak minuta, veten mbi re. Regjisori bullgar Bunjo Lungov, i njohur për shfaqjet bashkëkohore që ka vënë në teatrot e kukullave në mbarë botën, me ftesë të teatrit tonë të kukullave ka mbërritur prej gati 1 muaji në Tiranë, ku po realizon pjesën “Princi i vogël”, me autor Anton de Sent Ekxypery, një shfaqje krejt ndryshe nga ato tradicionalet, me të cilat jemi rritur dhe jemi edukuar. Teknologjia, kukullat dhe aktorët ndërthuren duke sjellë magjinë e vërtetë të teatrit për fëmijë. “Kjo është një pjesë e shkruar me finesë, ide dhe me një gjuhë të thellë filozofike. Secili nga ne do të thotë: A ka “shpatulla” skena e vogël e kukullave, të mbajë një shfaqje të këtyre niveleve? Po- do të jetë përgjigja jonë”- kështu shprehet Marilda Furxhi, një nga aktoret më të hershme të Teatrit të Kukullave. Ndërsa për regjisorin bullgar, Bunjo Lungov, Shqipëria është shumë vonë në drejtim të teknikave të reja dhe moderne, që po aplikohen në Teatrin për Fëmijë. Ai sjellë një model që shpreson të ndiqet dhe nga të tjerë.
-Si regjisor që keni punuar në teatro të ndryshme të botës, ç’mund të na thoni për aktorët dhe Teatrin tonë të Kukullave?
Ajo që më ka befasuar shumë është dëshira e madhe që kanë këta aktorë për të përvetësuar një teknikë tjetër kukullash, të cilën ata nuk e njihnin dhe nuk kanë punuar kurrë më parë. Edhe pas 12-13 orë provash, këta aktorë nuk i dëgjova një herë të thonë pse kaq shumë punë. Vërtet unë kam punuar me shumë aktorë dhe e njoh psikikën e aktorit. Ju keni aktorë të mirë, por që kanë shumë pak informacion.
A mund të na shpjegoni teknikën e re, që po praktikohet për herë të parë në Teatrin e Kukullave dhe a i plotëson kushtet Teatri i Kukullave, për ta përballuar këtë teknikë të re?
Është pikërisht ajo që i mungonte Teatrit: Atelia. Po punohet me një sistem të ndërthurur nga disa sisteme të tjera të veçanta. Në këtë teatër nuk është punuar kurrë me sistemin Java, por as me kukulla mimike apo të improvizuara. Në këtë rast, ndërthurja e këtyre tri sistemeve të kukullave është diçka e re dhe do të jetë shumë interesante edhe për publikun që e sheh. Janë tre aktorë që punojnë me një kukull, që do të thotë se të tre duhet të jenë në sinkron të plotë dhe kjo nuk është e lehtë. Kukullat janë realizuar në Bullgari. Përsa i përket Teatrit të Kukullave, rikonstruksioni që i është bërë më ka surprizuar. Por mendoja se duhet të investohet më shumë në skenë dhe sidomos në teknikë.
Fakti që tre aktorë luajnë pas një kukulle, mos e zbeh rolin e individit aktor?
Gjëja e parë që ndodh është puna në ekip. Nuk ka shanse që një punë në ekip të mos dalë bukur dhe nuk mendoj se kjo e zbeh rolin e aktorit, përkundrazi sepse puna bëhet më e vështirë. Thjesht mendoj se duhet akoma shumë punë për të bërë në aspektin profesional si dëgjimi, shqiptimi, veprimi fizik, teknika e të folurit duhet të jetë e njëjtë për një kukull nga të tre aktorët. Shumica arritën t’i gërshetojnë të gjitha këto dhe shpresoj që në ditët e ardhshme të arrihet nga të gjithë.
Shqipëria është e vonuar apo tamam në kohë për këto teknika të reja?
Jeni shumë të vonuar. Por momentalisht mund të them se për 20 ditë u kapërcyen vite. Unë mendoj kështu.
Po publiku i mësuar me shfaqjet tradicionale të rrëfimit të përrallave me kukulla, do të arrijë ta kuptojë “Princin e vogël” modern?
Unë e kam të qartë se publiku do të surprizohet, por vetë adresimi i kësaj shfaqjeje nuk është vetëm për fëmijët por edhe për të rriturit. Publiku i rritur do ta kuptojë ndryshe shfaqen dhe fëmijët ndryshe. E rëndësishme është magjia që përcjell një shfaqje e tillë. Para disa vitesh, në Maqedoni bëra një shfaqje dhe trembeshin nga fakti se mos publiku nuk do ta kuptonte. Dhe unë iu përgjigja: Ju po nënvlerësoni publikun?!. Njerëzit në gjithë botën janë njësoj”.
Tek ne, aktorët e teatrit dramatik dhe ato të teatrit të kukullave dalin nga e njëjta shkollë. Profesionalizmi i të parëve është më i prekshëm dhe kjo i bën më të njohur dhe më mirë të paguar, ndërsa të dytët janë gjithmonë në hije, le të themi, se janë gjithmonë pas një kukulle. Ju si regjisor, si i shihni këto dy kategori aktorësh? Në fund të fundit është më e lehtë të jesh një aktor dramatik apo një aktor i teatrit të kukullave?
Edhe pse nuk flasim të njëjtën gjuhë, sepse unë flas bullgarisht e ti shqip, arrita ta kuptoja pyetjen edhe pa ma përkthyer, sepse kjo është një pyetje që ma kanë bërë në shumë vende të ndryshme, ku unë kam punuar. Teatri i kukullave zhvillohet shumë më shpejt, sepse fantazia njerëzore zhvillohet shumë më shpejt. Unë kam një tezë: aktori i mirë është i mirë, edhe në atë dramatik, edhe në atë të kukullave. Do të jap një shembull. Para 3 viteve, isha ftuar në Malin e Zi për të vënë një shfaqje të tillë. Asnjë nga aktorët e teatrit dramatik nuk pranoi t’i bashkohej projektit tim, kështu që u detyrova të merrja studentë të vitit të 3-të të Akademisë së Artit. Shfaqja pati shumë sukses, u fol shumë gjatë për të dhe salla pas meje ishte gjithmonë plot. U cilësua si shfaqja më e suksesshme e atij viti, përfshirë dhe ato që ishin shfaqur në teatrin dramatik. Kur më ftuan për herë të dytë për të vënë në skenë një tjetër shfaqje, yjet e teatrit dramatik donin të ishin të gjithë në projektin tim.