E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pianoja mban zi për Alqi Karecon

SHKRUAN: Aida Tuci 27-06-2011 11:44

Në hyrje të Teatrit Metropol qëndron një piano e vjetër e markës austriake. Pianoja dje, edhe pse e heshtur, dukej sikur luante tingujt e fundit të një muzike funebre për njeriun që për vite me radhë ulej pranë saj. Ajo piano e vjetër ishte dhurata që Alqi Kareco i bëri një vit më parë “Teatrit Metropol”, dikur “Teatri i Varietesë”. Nuk mundte më të ulej e ti binte pianos ku kishte realizuar më shumë se 5000 orkestrime. Sëmundja po e mposhtte dalëngadalë, deri mbrëmjen e së shtunës, kur mjeshtri i muzikës, Alqi Kareco, mbylli përgjithmonë sytë. Zakonisht ndodh që njerëzit dhe vepra e tyre të vlerësohen pas vdekjes, por jo me pianistin dhe orkestruesin Alqi Kareco. Një nga muzikantët më të njohur të muzikës shqiptare, Alqi Kareco është ndarë nga jeta në moshën 79-vjeçare, duke marrë me vete dhe gjithë vlerësimin dhe respektin e miqve dhe kolegëve që e kanë njohur dhe kanë punuar me të. Kompozitori i njohur Aleksandër Lalo shprehet për mikun dhe kolegun muzikant se ai ishte jo vetëm themeluesi i Varietesë së Tiranës, por dhe një nga pianistët më të mirë shqiptarë. “Me punën e madhe që la pas, ai bëri që ta duan edhe ata që s’e deshën”- u shpreh kompozitori gjatë homazheve që u mbajtën për nder të tij dje në Teatrin e Metropolit në Tiranë. Përgjatë 40 viteve të karrierës artistike ai ka dirigjuar dhe orkestruar më shumë se 5000 këngë të muzikës së lehtë shqiptare, pjesëmarrëse në festivalet e këngës në RTSH. Muzikanti Kareco ka bashkëpunuar më të gjithë këngëtarët më të mëdhenj të skenës shqiptare, si Luan Zhegu, Irma dhe Eranda Libohova, Ema Qazimi, Liljana Kondakçi etj. Ka punuar për vite me radhë krah kompozitorit Agim Prodani.

“Kam punuar shumë në krah të tij dhe i detyrohem shumë. Është ai që vuri themelet e para në orkestrimin shqiptar. Janë të rrallë artistët si ai. Nuk ka fjalë të përshkruhet gjenialiteti i tij.” - u shpreh këngëtarja Ema Qazimi. Por miqtë e kujtojnë Alqi Karecon dhe si mikun më të mirë, që gjithmonë kujtohej për ta, madje, siç rrëfehen shokët e klasës, ishte i vetmi që kujtohej të mblidhte klasën edhe pas 60 vjetësh, duke gërmuar e kërkuar numrat e telefonit, me dëshirën për t’i parë të gjithë bashkë edhe një herë. Ai kurrë nuk shfaqi dhimbjen edhe pse nuk u lejua nga regjimi i atëhershëm të vazhdonte shkollën për pasionin e tij pianon. Njolla një biografi pas burgosjes së të atit do ta ndiqte si hije nga pas gjatë gjithë jetës, por që kurrë nuk e ligështoi dhe nuk ia zbehu dëshirën për të punuar. Te muzika ai gjente qetësinë, arratinë nga dhimbja. Kolegët dhe miqtë i dhanë lamtumirën e fundit njeriut dhe artistit Alqi Kareco, në sallën e teatrit që ai vetë e krijoi me punë dhe pasion. Pianoja e vjetër austriake, që vetëm një vit më parë mjeshtri Kareco ia dhuroi Teatrit Metropol, qëndronte hijerëndë në hyrje të Teatrit që ishte mbushur me njerëz të njohur dhe të panjohur, që donin t’i jepnin lamtumirën e fundit njeriut dhe artistit. Në intervistën e tij të fundit, pak para se sëmundja e rëndë ta mposhtte mjeshtrin Kareco, ai do të shprehej se ka qenë puna që i ka dhënë gjithmonë kënaqësi në jetë. Ai ka orkestruar mbi 5000 këngë. E nisi karrierën në vitet ’50, përkrah kompozitorit të njohur Agim Prodani, me të cilin punoi deri në vitet ’80, kur kompozitorit u nda nga jeta. Ka mbi 2000 orkestrime të muzikës së Agim Prodanit në arkivin e tij muzikor.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›