E Diel, 1 Nëntor 2026

Burg Llupos për vrasjen e Veizit, avokati: Ishte 4 orë nën presion, qëlloi në ajër

SHKRUAN: Leonard Bakillari 11-02-2011 10:31

Tiranë- Zv. komandanti i Njësisë Speciale, Agim Llupo, është lënë dje në burg nga Gjykata e Tiranës, për akuzën e vrasjes së Ziver Veizit, pasditen e 21 janarit. Në një sallë gati të boshatisur, i arrestuari dhe avokati i tij mbrojtës kanë kundërshtuar akuzën e Prokurorisë se kreu i Shtabit të Njësisë Speciale të Gardës së Republikës ka qëlluar për t’i shkaktuar vdekjen njërit prej demonstruesve, që ndodhej fare pranë portës së Kryeministrisë. Si prova për të lënë në burg gardistin, përfaqësuesit e akuzës kanë paraqitur në gjykatë një sërë akt-ekspertimesh e dëshmish, që, sipas tyre, janë të mjaftueshme për caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg” ndaj Agim Llupos. Burime të rezervuara thanë se në seancën e zhvilluar me dyer të mbyllura, prokurorët cilësuan si provën më të fortë ekspertimin balistik të armës që kishte në përdorim majori Llupo ditën që ishte thirrur për t’i ardhur në ndihmë njësisë nr. 2, që ka si detyrë mbrojtjen e Kryeministrisë. Kjo ekspertizë, por edhe akti i këqyrjes së kufomës së të ndjerit Ziver Veizi, sipas Prokurorisë tregojnë se plumbi i kalibrit 9 mm, i gjetur në trupin e viktimës, është qitur nga arma që përdorte i arrestuari Llupo. Prokurorët kanë pohuar se predha që është gjendur në trupin e viktimës ka një shtypje në pjesën anësore, fare pranë pjesës së pasme të tij. Këto prova, të cilësuara si mjaft të rëndësishme, janë shoqëruar edhe me dëshmitë e personave që ndodheshin pranë Ziver Veizit, në momentin kur u qëllua, duke kërkuar kështu që autori i dyshuar i vrasjes të hetohet me masën e sigurisë “arrest me burg” pa afat. Vetë i arrestuari, që shoqërohej në sallën e gjyqit nga dy punonjës policie, nuk ka pranuar të thotë asgjë para gjykatës, duke autorizuar avokatin e tij mbrojtës të rrëzojë pretendimet e Prokurorisë. Që në fillim të fjalës së tij, avokati Genc Gjokutaj ka kërkuar nga gjykata që urdhër-ndalimi i datës 08.02.2011 i Prokurorisë së Tiranës të shpallej i paligjshëm, për shkak të provave të pamjaftueshme, që, sipas tij, Prokuroria ka vënë në dispozicion të gjykatës. Gjatë fjalës së tij, avokati Gjokutaj ka analizuar edhe elementët teknikë të dosjes, duke u ndalur më së shumti tek ekspertiza e armës. Sipas tij, është e vërtetë që klienti i tij ka qëlluar atë ditë, në funksion të detyrës së tij, por vetëm në ajër dhe jo në drejtim të turmës. Sa për ekspertizën balistike të armës, avokati Gjokutaj tha se ajo është e paplotë. “Sipas akt-ekspertizës, predha që dyshohet se është qitur nga arma e Agim Llupos ka një shtypje në pjesën anësore të saj, çka do të gjithë që viktima është goditur, pasi predha më parë ka qëlluar një objekt tjetër”- ka deklaruar Gjokutaj në seancën e djeshme. Ai ka kundërshtuar edhe ekspertizën balistike të Institutit të Policisë Shkencore, duke e quajtur atë të paplotë, pasi në të përcaktohet vetëm drejtimi i viaskave të armës. Në arsyetimin e tij, përse gjykata duhet të shpallte të paligjshëm urdhër-ndalimin e Prokurorisë dhe nuk duhet të vendoste asnjë masë për të mbrojturin prej tij, avokati Gjokutaj tha se gjithçka ka ndodhur pas sulmit të vazhdueshëm të demonstruesve, që zgjati më shumë se 4 orë. “Në pamjet filmike duket qartë që demonstruesit kanë sulmuar për disa orë godinën e Kryeministrisë. Madje, një grup prej tyre ka mundur të shpërthejë edhe portën hyrëse dhe të futet në territorin e brendshëm të Këshillit të Ministrave. Klienti im ka qenë në presion të vazhdueshëm nga dhuna që kanë ushtruar protestuesit, por ai ka qëlluar vetëm në ajër” - është shprehur para gjykatës avokati Gjokutaj. Pas pretendimeve të mbrojtjes, prokurorët ripërsëritën kërkesën për caktimin e masës së sigurisë “arrest me burg”, ndërsa gjyqtari Shkëlqim Mustafa u tërhoq për vendim. Gjyqtarit iu deshën vetëm 20 minuta për të vendosur masën e sigurisë “arrest me burg” pa afat, për oficerin e Gardës së Republikës, Agim Llupo, i cili akuzohet nga Prokuroria e Tiranës për vrasjen e demonstruesit Ziver Veizi, pasditen e 21 janarit në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, fare pranë portës hyrëse të Kryeministrisë. Në këtë demonstratë humbën jetën edhe Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj, ndërsa Aleks Nikaj mbeti i plagosur, për të ndërruar jetë pak ditë më vonë në një spital në Turqi. Prokuroria e Tiranës ka arrestuar Agim Llupon dhe shefin e tij Alfred Ahmetcenaj për këto vrasje, ndërkohë që është në kërkim të armës së dytë, që dyshohet se ka shkaktuar vdekjen e demonstruesve të tjerë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›