Topalli: Ina Rama s’u mërzit kur Berisha e quajti lavire
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, nuk është distancuar nga akuzat që mazhoranca i ka drejtuar kryeprokurores Ina Rama, pas demonstratës së 21 Janarit. E pyetur nëse ajo i qëndronte etiketimeve se Kryeprokurorja ishte lavire bulevardi, siç kryeministri Berisha e kishte quajtur, Topalli u përgjigj: “Në fakt, bulevardi është”. Kryetarja e Kuvendit tha në emisionin “Opinion” se Kryeprokurorja nuk është mërzitur shumë për etiketimin e Kryeministrit, duke shtuar se distancohet nga të gjithë personat e tillë. Megjithatë, ajo ka shtuar se Prokuroria është institucioni që duhet të bëjë një hetim gjithëpërfshirës dhe të paanshëm për 21 Janarin, që, sipas saj, ka hyrë në rrugën e duhur, me kontributin e prokurorëve amerikanë. Topalli ka komentuar edhe marrëdhënien e tensionuar me presidentin Bamir Topi dhe letërkëmbimin me të, pas ngjarjes së rëndë të 21 Janarit. E pyetur për mundësinë e një mandati të dytë për Topin në Presidencë, Topalli u përgjigj: “Nuk merrem me mandantin e dytë të Topit, po flas për gjëra më të mëdha se aq. Po flas për rendin kushtetues dhe përgjegjësinë për ta mbrojtur atë”.