E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pakti bashkëqeverisjes PD-PDU, largohet Bojaxhi

Nis të konkretizohet marrëveshja për bashkëqeverisje, midis Partisë Demokratike dhe Partisë për Drejtësi dhe Unitet. Dje është bërë publik shkarkimi i Gjergj Bojaxhi nga posti i drejtorit të Përgjithshëm të Inspektoratit Ndërtimor. Në vend të tij është emëruar, Erjon Softa, i cili për shumë vite ka mbajtur postin e drejtorit të Policisë Ndërtimore të Tiranës dhe atë të zv.drejtorit të Përgjithshëm të Ndërtimores. Vetë, Bojaxhi ka konfirmuar lajmin për shkarkimin e tij dhe ka deklaruar se ky ndryshim është pjesë e marrëveshjes që Partia Demokratike ka me Partinë për Drejtësi dhe Unitet. Ndërsa, është shkarkuar nga posti që mbante edhe Kreshnik Bozho, drejtor i Transportit Rrugor dhe në vend të tij është emëruar një tjetër përfaqësues i Partisë për Drejtësi dhe Unitet. Këto janë ndryshimet e para në nivele të ndryshme të administratës shtetërore, që synojnë përfshirjen e Partisë për Drejtësi dhe Unitet në qeverisje “de fakto”. Pavarësisht këtyre ndryshimeve, mes Kryeministrit Sali Berisha dhe kreut të çamëve, Shpëtim Idrizi, ende nuk është firmosur zyrtarisht marrëveshja e bashkëqeverisjes. Mësohet se një pakt i tillë do të vazhdojë të konkretizohet edhe në nivele të tjera të qeverisjes, për të konkretizuar edhe bashkëpunimin elektoral më 8 Maj. Pritet që Partia për Drejtësi dhe Unitet të dalë në koalicion me demokratët në zgjedhjet lokale, duke konsoliduar edhe bashkëpunimin parlamentar. Në Kuvendin e Shqipërisë, PDU-ja ka dy mandate deputetësh, që i mundësojnë mazhorancës arritjen e numrit 74, shumë i nevojshëm për çdo votim në seancat parlamentare. Në gjysmën e dytë të vitit të shkuar, Kryeministri Berisha priti në takim dy deputetët e PDU-së, të cilëve u garantoi se mazhoranca i përmbahet parimit se sot ideali më i mirë kombëtar i shqiptarëve është ideali europian, i integrimit të shqiptarëve në Europë dhe i trajtimit të të gjitha problemeve në përputhje me normat europiane. Në këtë kontekst, theksoi Kryeministri, qeveria mendon se problemi çam nuk përbën kategorikisht një çështje të ndryshimit të kufijve apo pretendimesh territoriale. “Problematika e tij duhet të trajtohet në përputhje me traktatin e miqësisë dhe bashkëpunimit që ekziston midis 2 vendeve tona. Ndërsa, për sa i përket një pike tjetër të ngritur nga përfaqësuesit e PDU-së, siç është ai i integrimit të komunitetit çam në administratën shqiptare, Kryeministri Berisha u shpreh i hapur për të ndërmarrë hapa konkretë, për integrimin e këtij komuniteti pa asnjë lloj diskriminimi në administratë”, thuhej në njoftim.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›