E Diel, 1 Nëntor 2026

Lezhë, ekzekutohet djali i biznesmenit

Autori i vrasjes dorëzohet në polici pas disa orësh: U zumë në një lokal dhe e ndoqa nga pas

Një zënkë banale në një piceri mendohet të jetë shkaku që çoi në ekzekutimin me armë zjarri të një të riu lezhjan. Ngjarja e rëndë ndodhi gjatë orëve të para të ditës së djeshme, kur një 22-vjeçar është qëlluar disa herë me armë zjarri dhe për pasojë ka humbur jetën.

Viktima, Fabian Nika, u gjet i vdekur nga një patrullë policie në lagjen “Besëlidhja” të Lezhës. Ai ishte qëlluar me armë zjarri nga persona ende të paidentifikuar, ndërkohë që policia është vënë në dijeni gjatë orëve të natës për vrasjen e të riut. Dyshohet se ai është qëlluar pranë një picerie në lagjen “Besëlidhja” rreth orës 01:30 të së premtes. I riu është gjetur i përgjakur, ndërkohë që autori ka mundur të largohen me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, duke i shpëtuar prangosjes së policisë. Por policia arriti ta identifikonte shpejt vrasësin, i cili dje pasdite u dorëzua vetë në Drejtorinë e Policisë së Lezhës.

Nika është dërguar fillimisht në Spitalin Rajonal të Lezhës, ku ka marrë ndihmën e parë mjekësore. Por bluzat e bardha lezhjane, duke parë gjendjen e rëndë të të plagosurit, kanë vendosur që ta dërgojnë për trajtim më të specializuar drejt Spitalit Ushtarak në Tiranë. Por edhe pse mjekët bënë përpjekje maksimale për ta shpëtuar, 22-vjeçari nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të shumta që kishte marrë dhe ka ndërruar jetë mëngjesin e djeshëm. Ndërkohë, sapo janë sinjalizuar për ngjarjen, në vend kanë shkuar forca të shumta policie. Ekspertët kriminalë kanë bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes dhe mbledhjen e dëshmive të para.

Në bazë të dëshmive të para për ngjarjen, është mësuar se 22-vjeçari ka pasur konflikt gjatë natës me disa persona të tjerë jashtë qytetit të Lezhës. Pasi sherrit të parë, që thuhet se ka ndodhur në Shëngjin, autorët e vrasjes e kanë ndjekur viktimën, derisa e kanë arritur dhe më pas qëlluar me armë pranë një picerie në lagjen “Besëlidhja” të qytetit. Ndërkaq mësohet se arma me të cilën është qëlluar Nika ka qenë një pistoletë TT.

Ndërkohë, policia po punon edhe në pista të tjera, që përjashtojnë sherrin e momentit, pasi 22-vjeçari i vrarë është djali i një biznesmeni të njohur në qytetin e Lezhës.

Në orët e mbrëmjes, Erind Mrruku 23 vjeç, është paraqitur me dëshirën e tij në Drejtorinë e Policisë së Lezhës, duke deklaruar se ishte ai autori i vrasjes së Fabian Nikajt. Policia pohoi se i vetëdorëzuari u arrestua menjëherë me akuzën e vrasjes me dashje. Ai ka sqaruar se konflikti ka nisur fillimisht në një lokal-piceri dhe më pas e ka ndjekur viktimën derisa e ka qëlluar me armë.
Kohët e fundit, qyteti i Lezhës është tronditur nga ngjarjet kriminale. Kujtojmë se në fundin e javës së kaluar, gjatë një aksioni të policisë për ndalimin e tre personave të dyshuar për grabitje, ka mbetur i vdekur një 16-vjeçar.

#

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›