Burg pa afat grekut që u kap me 4 kg hashash
Krimet e Rënda kanë dhënë dje masën e sigurisë për Jorgos Papallaqis. I arrestuari: Droga nuk është e imja
TIRANË- Gjykata e Krimeve të Rënda vendosi dje të lerë në burg shtetasin grek Jorgos Papallaqis, i cili katër ditë më parë u kap në Pikën e Kalimit Kufitar të Kakavijës me katër kilogramë lëndë narkotike e dyshuar marihuanë, me akuzën trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike. Avokati i tij ka pretenduar gjatë vlerësimit të masës së sigurisë se sasia e lëndës narkotike nuk ka qenë e klientit të tij. Vetë shtetasi grek ka pohuar përpara gjykatës së droga nuk ishte e tij dhe dyshonte se ia kishin vënë në makinë në shenjë hakmarrjeje. Ai ka shpjeguar se sapo ishte ndarë nga gruaja e tij shqiptare dhe dyshonte se ajo mund të kishte gisht në këtë çështje. Por ky pretendim nuk është marrë parasysh nga gjykata. Sasia ebimës narkotike u gjet në autoveturën me targa "YIY 2654" të shtetasit grek, në momentin që ai tentonte të kalonte pikën kufitare të Kakavijës, Gjirokastër, në drejtim të Greqisë më tre prill. Sasia e lëndës narkotike u gjet e fshehur në sediljen e pasme të makinës dhe kishte si destinacion Greqinë. Sipas deklarimeve, Papallaqis ndodhej prej disa ditësh në Gjirokastër, me qëllim çeljen e një biznesi privat. Ndaj tij, u mor masa e arrestit në kushtet e flagrancës, ndërsa pas kryerjes së akteve procedurale, materialet i kaluan Prokurorisë së rrethit Gjyqësor Gjirokastër dhe më pas Prokurorisë së Krimeve të Rënda në Tiranë.