E Shtunë, 31 Tetor 2026

Italiani vjen për peshkim, vdes nga alkooli

 

Francesco Voglia ka konsumuar gjatë ditës verë, birra dhe alkool e ka përfunduar në spital në koma alkoolike

Shoku i tij shpëton në sajë të ndërhyrjes së shpejtë të mjekëve. Dy italianët ishin peshkatarë

VLORË- Konsumimi i një sasie shumë të madhe alkooli ka qenë fatal për një shtetas italian, të ardhur në Vlorë për tregtinë e peshkimit. Ndërkohë shoku i tij ka mundur të mbijetojnë vetëm në sajë të ndërhyrjes së shpejtë të mjekëve të Vlorës dhe tashmë gjendet në repartin e reanimacionit, jashtë rrezikut për jetën por nën mbikëqyrjen e mjekëve. Të dy shtetasit e huaj kanë mbërritur në orët e vona të mbrëmjes së djeshme në spitalin e Vlorës, në gjendje mjaft të rënduar dhe njëri prej tyre pa shpresa për tu kthyer në jetë.

Francesco Voglia, 35 vjeç, ka ndërruar jetë vetëm pak minuta pas mbërritjes në spital dhe Emiliano Giuliano, 27 vjeç, ndodhet tashmë në ambientet e reanimacionit të spitalit rajonal të Vlorës. Mjekët kanë përcaktuar si diagnozë komën alkoolike toksike për dy të huajt. Një nga mjekët e reanimacionit të Vlorës, pohon se 27- vjeçari ka konsumuar një sasi tejet të madhe alkooli, por kjo nuk mund të përcaktohet saktësisht, pasi në Vlorë nuk është e mundur një analizë e tillë. Sipas tij gjendja e të huajit tashmë është jashtë rrezikut për jetën, por fiziku i tij i dobët, ka bërë që mjekët ta mbajnë nën mbikëqyrje.

Mjekët kanë njoftuar edhe policinë lokale, e cila ka marrë në pyetje 27-vjeçarin që ka mundur të mbijetojë. Burimet e policisë pohuan se Emiliano Giuliano nuk ka asnjë dijeni për shokun e tij që ka vdekur dhe kjo gjë do t'i tregohet kur gjendja e tij të përmirësohet. Ai ka shpjeguar për hetuesit vlonjate se ata kanë pirë në restorantet e Triportit, jo vetëm në drekë e gjatë darkës, verë. Por edhe më vonë, në dhomat e hotelit ata kanë konsumuar sasi të mëdha birre dhe uiski. I riu nuk mban mend sasinë e konsumuar, thjesht pohon se ai ka pirë dhe më parë, por këtë herë pija e ka sjellë në Shqipëri. Ai tregon se ishin në Vlorë vetëm prej dy ditësh pas pesë ditësh peshkimi në ujërat e detit. "Nuk kisha qenë asnjëherë më parë në Vlorë, tregon italiani, dhe kishim sjellë aragosta, fruta deti, të tëra për tu tregtuar këtu. Unë kam kaluar thuajse vite të tëra në peshkim dhe konsumoj shpesh alkool, por këtë herë nuk kam mbajtur mend se sa pimë". Ai tregon se kanë ngrënë peshk dhe konsumuar shumë verë. Aktualisht policia po heton për shkaqet e ngjarjes, vendet ku kanë konsumuar alkool marinarët e huaj, si dhe çfarë kanë konsumuar ata. Po kështu për 35- vjeçarin është bërë autopsia dhe ekspertët kanë dërguar të gjitha të dhënat drejt kryeqytetit, ku do të bëhen analizat dhe do të zbardhen përfundimisht shkaqet që kanë sjellë vdekjen e shtetasit italian.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›