"Shkodra e infektuar nga municionet plasëse"
Kreu i shoqatës së ushtarakëve në rezervë të Shkodrës tregon rrezikun e municioneve të vjetra
SHKODËR- Prania e armëve e municioneve jo vetëm në duart e njerëzve por dhe të shpërndara nëpër territore të ndryshme publike është kërcënimi më i madh për banorët e qarkut të Shkodrës. Kështu shprehet kryetari i shoqatës së ushtarakëve në rezervë për qarkun e Shkodrës, ish-pedagog i akademisë së ushtrisë Marash Malaj. Dhe pse kanë kaluar 11 vjet nga marsi i 1997-ës kur u shpërthyen depot e ushtrisë, ekzistenca e armëve e municioneve në duart e njerëzve është prezent. Por rreziku më i madh vjen nga zonat e infektuara ku kanë qenë repartet e dikurshme ushtarake apo ku janë shpërndarë municione të ndryshme. "Jo vetëm Shkodra, por i gjithë territori i vendit tonë, pas vitit 1997, ku më shumë e ku më pak mund dhe duhet konsideruar i infektuar nga lloje të ndryshme municioni plasës, përfshirë dhe mbetje të Luftës së Dytë Botërore, është i rrezikuar", shprehet për "Shekullin" specialisti ushtarak Marash Malaj. Duke u ndalur në zonën e Shkodrës, ai tregon shembuj të gjetjes së këtyre municioneve në territore publike dhe pasojave të rënda që ato kanë shkaktuar siç janë ato të ndodhura në fshatin Bardhaj tek ish-poligoni i qitjes, në Qaf Laç ku deri pak vitesh bëhej asgjësimi i predhave fare pranë shtëpive të banuara, i hedhjes së predhave shumë të rrezikshme në bregun e liqenit në lagjen Kiras apo dhe incidenteve në Mal të Jushit ku janë ndeshur predha të luftës së dytë botërore. "Municionet luftarake, siç janë predhat e kalibrave të ndryshëm, paraqesin rrezik pasi nga përbërja e mbushjeve të tyre, pas dekompozimit dhe nën ndikimin e faktorëve natyrorë ato mund të vetëplasin. Ndërsa për municionet e lehta siç janë fishekët, ky rrezik nuk ekziston. Ato pëlcasin vetëm në rast se goditen me mjete të forta ose nga pakujdesia gjatë çmontimit të tyre",- shpjegon Malaj. Në Shkodër, armët e municionet e ndryshme prej disa vitesh janë grumbulluar e përqendruar në disa depo ushtarake që ruhen me forca të ushtrisë dhe nuk ka pasur incidente. Përveç kësaj ka rreth një vit e gjysmë që sasi të mëdha municionesh janë transportuar nga Melgusha e Bushati drejt zonave të tjera ku do bëhej dhe demontimi i tyre përfshirë dhe Gërdecin, para se të ndodhte tragjedia. Kjo pohohet nga ish-ushtarakë që kanë punuar në këto reparte por dhe nga banorë që tregojnë për kamionët ushtarakë që shiheshin çdo ditë pranë depove në Bushat e Melgushë teksa ngarkoheshin dhe më pas largoheshin drejt Tiranës. Por ekzistenca akoma e municioneve, madje dhe e lëndëve plasëse, ndonëse të vendosura në tunele të mbyllura, është rrezik evident. Duke qenë se pjesa më e rrezikuar janë fëmijët, mund të përfshihen në tekste mësimore tema mësimi që tregojnë të ilustruara me foto paraqitjen e rrezikun e municioneve e armëve që mund të ndeshen kudo, shton ai, ndërsa apelon që shteti të merret seriozisht me një çështje të tillë pa ndodhur tragjedi të tjera.