Plani i arratisë së 75 të dënuarve
I gjithë "Seksioni B" i burgut të Burrelit kishte bërë gati arratisjen duke prerë me sharrë telat e dritareve të banjaveKrerët e burgut kishin zbuluar tentativën por nuk kishin njoftuar askënd për ngjarjen e ndodhur
BURREL- Kanë qenë plot 75 të burgosur që vuanin dënimin në burgun e sigurisë së lartë në Burrel që kishin planifikuar arratisjen spektakolare, ndër këta shumica të dënuar me burgim të përjetshëm dhe të tjerë me nga 20 vite e sipër. Burime të sigurta pohuan se thuajse në të gjitha dritaret e dhomave të izolimit tek "Seksioni B" ku mbahet kjo kategori të dënuarish është punuar nga të dënuarit me sharra të improvizuara duke i prerë ato para pak ditësh, e duke synuar kësisoj arratisjen e madhe nga vendi i dënimit. Por policia i ka parë ato, dhe pas kësaj vetëm është mjaftuar me saldimin dhe risaldimin e telave, por duke e mbajtur të fshehtë si fakt, pa lajmëruar prokurorinë apo drejtuesit e dikasterit, Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve.
***
Ndërkohë që tentativën e arratisjes e kanë vazhduar deri në ekzekutimin e plotë të aksionit vetëm dy të dënuar me burgim të përjetshëm për vepra të rënda penale, Fran Marashi dhe Preng Lleshi, të cilët mundën të sharronin telat e dritareve të banjës, të shqyenin murin dhe të kapërcenin pa u thënë asgjë rojet në rrethimin e jashtëm me tela me gjemba për t'u kapur vetëm pas 30 minutash nga policia e Burrelit në afërsi të Zenishtit, ku mendohej se i priste një makinë për t'u larguar. Ata kishin mundur të komunikonin me jashtë pasi iu gjetën dhe dy celularë dhe një bllok me numra telefonikë.
***
Nga burime të rezervuara të hetimit mësohet se mënyra e arratisjes së Fran Marashit dhe Preng Lleshit e ka shtyrë grupin hetimor të prokurorisë së Burrelit dhe nga ana tjetër vetë Shërbimi i Brendshëm të Ministrisë së Drejtësisë, të hulumtojnë jo vetëm në këtë arratisje por dhe për një plan të arratisjes masive që do të realizohej këto ditë. Mësohet se regjimi i brendshëm dhe ai i jashtëm nuk ka reaguar fare, duke bërë që të bjerë në zero miti i këtij burgu, i cilësuar si "nr 1", i sigurisë së lartë për të dënuar me vepra të shumta penale dhe me rrezikshmëri shumë të madhe shoqërore. Falë kësaj cilësie janë sjellë në këtë burg dhe të dënuar të njohur të bandave më të rrezikshme në Shqipëri si Zani Caushi, Jaho Salihi, Gaxhaj, Kateshi, Tafili i Shkodrës, Lul Caka e të tjerë. Nuk dihet saktësisht nëse dhe këta emra të përmendur të botës së krimit kanë qenë të planifikuarit e kësaj arratisjeje, por mendohet se numri i kësaj "brigade" të madhe që e kërkonin me çdo kusht lirinë, shkonte në më se 50 vetë nga ata me burgim të përjetshëm, si dhe shumë të tjerë me dënime të mëdha, 20 vite e sipër.
Kështu para se të realizohej plani, janë gjetur të sharruara me fije çeliku të bëra si sharrë thuajse tërë dyert e dhomave dhe banjave të "Seksionit B" nga ku më pas "ushtria e të arratisurve" do të mësynte sheshin e jashtëm dhe më pas për të kaluar nga ana e prapme e burgut nëpër rrethimin me tela me gjemba për të rënë poshtë nga aksi nacional Burrel-Peshkopi, nga ku shumë prej tyre kishin porositur makina që do t'i merrnin. Thuajse e njëjta skemë është zbatuar nga dy të arratisurit e vetëm të dy ditëve më parë, Fran Marashi dhe Preng Lleshi. Edhe pse policia e burgut e ka diktuar prerjen e telave të dritareve nga brenda, nuk ka sinjalizuar policinë, prokurorinë apo Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve, por për ta mbajtur të fshehur këtë fakt, i kanë risalduar telat. Kjo ka qenë dhe arsyeja që grupi hetimor ka arritur në konkluzionin e shkeljes së detyrës nga drejtuesit e burgut si dhe varësisë së mëtejshme që nga shefi i policisë së burgut, shefi i regjimit të brendshëm dhe atij të jashtëm.
Numri i të arrestuarve për këtë çështje ka shkuar në nëntë. Krerët e burgut kishin dijeni për arratisjen por nuk reaguan
Arrestohet drejtori i burgut të Burrelit dhe 4 zyrtarë të tjerë
BURREL- Veprimet e krerëve të burgut të Burrelin por edhe të policëve të tij përpara dhe gjatë arratisjes së dy ditëve më parë kanë bërë që prokuroria të nisë një hetim të gjerë për këtë çështje. Dhe nuk janë dashur veprime të shumta hetimore për të përcaktuar përgjegjësitë penale të një sërë drejtuesish të burgut. Pa kaluar as 24 orë nga ngjarja, pasditen e djeshme, janë arrestuar drejtori i burgut të Burrelit si dhe të gjithë shefat e këtij institucioni. Ata janë cilësuar përgjegjës për shpërdorim detyre dhe për favorizim pasiv të arratisjes të të dënuarve. Të gjithë krerët e burgut kanë pasur dijeni për veprimet e të burgosurve për tu arratisur por nuk kanë bërë asgjë për ta parandaluar. Përveç tyre, prokuroria lokale, i ka vënë prangat edhe katër policëve të burgut, të cilët kanë parë arratinë e dy të dënuarve por nuk kanë reaguar për t'i ndaluar. Në total numri i të arrestuarve për këtë çështje ka arritur në nëntë vetë, pesë zyrtarë dhe katër efektivë policie.
Zyrtarët
Burime nga grupi hetimor i çështjes pohuan dje për "Shekullin" se gjatë paradites së djeshme janë verifikuar me imtësi të gjitha anomalitë që çuan në arratisjen e dy të burgosurve por edhe planin për arratisjen e 75 të dënuarve të tjerë. Në përfundim të analizës prokuroria ka konkluduar se nga drejtuesit e këtij burgu është konsumuar vepra penale e shpërdorimit të detyrës dhe e favorizimit pasiv të të dënuarve dhe menjëherë ka hapur proces penal ndaj tyre. Në orët e paradites janë thërritur një nga një për të dëshmuar drejtori i burgut të Burrelit, Eduard Brahimlika; shefi i policisë së burgut, Thanas Rumnica; Luan Hysa, shefi i regjimit të brendshëm; Kadri Domi, shefi i regjimit të jashtëm dhe Kujtim Laçi, oficer i rojës. Të gjithë këta janë cilësuar si përgjegjës nga ana e prokurorisë së Burrelit dhe pasi kanë dhënë shpjegimet e tyre për ngjarjen, rreth orës 17.00, janë arrestuar. Gjatë orëve të paradites së djeshme është marrë në pyetje dhe ish-drejtori i këtij burgu Shyqyri Dushku, i cili mësohet se ka dhënë detaje në lidhje me sigurinë e burgut dhe mënyrën se si duhet të veprohej në raste të tilla.
Policët
Por më parë se të bëheshin këto arrestime prokuroria e Burrelit lëshoi urdhër arrestet për katër policë që shërbenin tek burgu si brenda dhe tek kulla e vrojtimit. Kështu mësohet se janë arrestuar në orët e mesit të natës së kaluar policët Ervin Heta, Ardian Ruka, Fiqiri Ceni dhe Fatmir Domi. Hetuesit kanë vënë re se hekurat e banjës nga kanë dalë Fran Marashi dhe Preng Lleshi ishin sharruar që në orën 11.00, ndërsa policët e kanë fshehur këtë detaj të rëndësishëm edhe pse e kanë vënë re, ashtu siç ishte bërë dhe ditë më parë me idenë se do të saldoheshin sërish dhe askush nuk do ta merrte vesh. Gjithashtu dhe polici tek kulla i ka vënë re duke u hedhur nga telat dhe nuk ka bërë asnjë tentativë për t'i ndaluar ndërsa alarmi nga policët është dhënë vetëm pasi ata i kanë kaluar telat me gjemba.
TË ARRESTUARIT
Eduard Brahimlika, drejtori i burgutThanas Rumnica shefi i policisë në burgLuan Hysa, shefi i regjimit të brendshëmKadri Domi, shefi i regjimit të jashtëm Kujtim Laçi, oficer i rojësErvin Heta, polic i burgut Ardian Ruka, polic i burgut Fiqiri Ceni polic i burgut Fatmir Domi, polic i burgutBrahimlika nuk kishte asnjë eksperiencë në burgjeBURREL- Ndonëse nuk prononcohen publikisht organet e hetimit, vendosja e drejtorit të burgut është bërë jashtë çdo kriteri profesional, pasi Eduard Brahimlika, nga jurist i bashkisë nuk kishte asnjë eksperiencë në drejtimin e një institucioni të tillë të rëndësishëm dhe delikat siç ishte burgu i sigurisë së lartë. Ndërkohë që për vetë këtë bashki ku ka punuar juristi në fjalë ka një dosje të hapur penale pas shkeljeve të mëdha që janë gjetur në tenderimet publike dhe menaxhimin e fondeve. Dosja po ndiqet nga prokuroria e Burrelit pas kontrolleve të bëra nga Kontrolli i Lartë i Shtetit. Edhe pse grupi hetimor nuk ka dhënë shumë detaje në lidhje me ngjarjen, duket se problemet me burgun kanë qenë të vazhdueshme dhe se për këtë është thirrur të dëshmojë në prokurori edhe ish-drejtori Shyqyri Dushku. Edhe në kohën e tij ka pasur shumë probleme në burg.
Historia e burgut të Burrelit
Krijimi i burgut të Burrelit daton në vitin 1937, dhe është ndërtuar pikërisht në kohën e mbretit Zog, i cili rridhte nga një familje burgajetëse e kësaj krahine. Me fillimin e Luftës së Dytë Botërore në 1939 ai mbyllet. Është konsideruar gjithnjë si burgu më i sigurt në Shqipëri që në ato vite dhe ishte ndërtuar nga italianët.
Rihapet vetëm pas çlirimit të vendit nga pushtuesit gjermanë në vitin 1944, ku fillojnë të futen në dry kundërshtarët politikë të regjimit komunist që në vitet e para të pasçlirimit. Si i tillë funksionon deri në vitin 1992 kur dhe mbyllet për herë të dytë. Këtë vit bëhet burg muze për të risjellë në memorjen e shqiptarëve kalvarin e gjatë të mundimeve të të burgosurve të rrezikshëm politik të regjimit të Enver Hoxhës për 50 vite.
Rihapet sërish në vitin 1996 duke u parë si vend i përshtatshëm për izolimin e të dënuarve për vepra të rënda e rrezikshmëri të theksuara shoqërore. Kështu kapaciteti mbajtës i tij ka shkuar tek 200 vetë, por gjithnjë ka mbajtur mbi kapacitet dhe sidomos kohët e fundit. Në këtë burg disa herë janë kryer investime të konsiderueshme për përmirësimin e kushteve dhe trajtimit të dënuarve. Burgu ka tri mjedise të tilla që përdoren edhe si fusha futbolli. Godinat e administratës ndodhen në të majtë të hyrjes.
Burgu i "të fortëve"
Burgu i Burreli mund të quhet dhe si "burgu i të fortëve", pasi këtu vuajnë dënimin me burgim të përjetshëm apo për vepra shumë të rënda penale persona me dënime maksimale nga gjykatat shqiptare si Zani Caushi, Lulzim Caka, Gaxhai, Jaho Mulosmani e shumë të burgosur të tjerë tepër të rrezikshëm.
Lulëzim Caka
Lulëzim Caka ose i quajtur ndryshe "i forti i Beratit", qëndron në Burgun e Burrelit prej disa vitesh. Ai ka mbërritur në këtë institucion nga Burgu i Peqinit. Caka është dënuar nga gjykata me 25 vjet heqje lirie, ndërkohë arrestimi i tij është bërë jashtë kufijve të Shqipërisë dhe më pas është sjellë në vendin tonë nga Interpoli.
Jaho Mulosmani
Jaho Mulosmani, është dënuar nga gjykata me burgim të përjetshëm. Akuza që i ka dhënë këtë dënim maksimal 27-vjeçarit, është ajo e vrasjes së deputetit të PD-së, Azem Hajdarit. Ndërkohë, tani Mulosmani ndodhet në qelinë e Burgut të Burrelit, pasi dënimi që ka marrë do ta mbajë përjetë mbrapa hekurave të burgut.
Gazment Brraka
Gazment Brraka ose i mbiquajturi "Gaxhai" qëndron në Burgun e Burrelit prej disa vitesh. Gaxhai është dënuar nga gjykata me burgim të përjetshëm. Gazment Brraka, është një nga "vip"-at që vuajnë dënimin në këtë institucion të lartë sigurie dhe dënimi i dhënë e la atë përjetë në qeli.
Myrteza Çaushi
Myrteza Çaushi, ose Zani "jeton" prej vitesh në Burgun e Burrelit. Ai akuzohet për krijim bandash të armatosura, pengmarrje, vrasje me paramendim, armëmbajtje pa leje etj.
Është dënuar tri herë në Greqi, ndërsa gjykata i ka dhënë dënim maksimal me burgim të për përjetshëm.
Mediat bëjnë "kurban" dhe dy policë në komisariatin e Burrelit
Filmimet dhe fotot e dy të arratisurve në mjediset e komisariatit të Burrelit dhe botimi i tyre në media, kanë bërë "kurban" dhe dy efektiva të policisë në këtë komisariat. Kështu mësohet se janë marrë në pyetje dhe më pas janë përjashtuar nga radhët e policisë dy efektiva të këtij komisariati Klemend Gjoka dhe Sul Stafa. "Faji" i vetëm i tyre ka qenë se nuk i kanë kundërshtuar gazetarët dhe fotografët që kanë "pushtuar" komisariatin sapo janë kapur dy të arratisurit e djeshëm Fran Marashi dhe Preng Lleshi. Ka qenë kjo mbajtje në fshehtësi e çdo ndodhie e lajmi, si ai i sharrimit të hekurave të krejt dyerve të dhomave të izolimit tek seksioni i të dënuarve me vepra shumë të rënda, që për pak sa nuk çoi në boshatisjen e burgut nga këta elementë kriminalë me rrezikshmëri ekstreme shoqërore.