Peizazhe të krimit
A ishte komedi muzikore shfaqja që pamë? "Franku V" i Dyrrenmatit do të kishte impakt edhe më të fuqishëm, aty nga fillimi i viteve '90, sikurse pati simotra tjetër e autorit "Vizita e damës plakë"
Teksa diskutoja me studentët shfaqjen e fundit të Teatrit Kombëtar "Franku V", dikush kërkoi nga unë një përgjigje: "A ishte komedi muzikore shfaqja që pamë"? Pyetja kishte brenda dyshimin në ishte vërtet e tillë. Ndoshta sepse parti muzikor i Endri Sinës nuk ishte përplotësi meritor që i lipsej vetë shfaqjes, një kumt më shumë, një tis që krijon hijeshinë që zbut ashpërsinë e tekstit, që jep ritëm e ndez gazin, që na fal atë çka muzika e ka bulb të vetën: "harmoninë". Ca më tepër lindi kjo dilemë, sepse aktorët-këngëtarë ishin, më së shumti, zotër të fjalës dhe të gjestit sesa të vokalit dhe ëmbëlsisë që duhej të kullonte prej tingullit muzikor. Janë trupa të tjera teatrore ato që luajnë mjeshtërisht mbi pentagrame, sikundër edhe mbi rrafshin skenik, pantomimën, gjestin, gjer edhe akrobacitë e xhonglimet. Një teatër të tillë ne ende s'e kemi krijuar, ca më pak tipologjinë e aktrimit që i gjegjet të tilla zhanreve.
Por e nisëm keq këtë shkrim: nga një dobësi. Më saktë, nga përcaktimi i llojit të shfaqjes, pa thënë i llojit të teatrit. Jam i mendjes se identifikimi i saj si "komedi muzikore" lë shkak për diskutim, qoftë nga mangësia e realizimit skenik, ashtu edhe nga sinteza regjisoriale jo fort e arrirë mbi dy komponentët bazë, tekstin dhe muzikën, që nuk shndërrohen dot në një dikotomi funksionale dhe shenjë teatrore e ngjizur kësisoji qysh në zanafillë. Nëse pati mangësi, zëra të papërpunuar, disi të vrazhdët, herë-herë dhe largime nga ritmi apo stonime në rastet e kuarteteve apo edhe më shumë zërave, nuk mund të thuhet assesi se e njëjta pamje u vu re sa i takon aktrimit, tashmë në korpin e tekstit dhe detyrës regjisoriale të Arben Kumbaros.
Atëherë: e para gjë që të lë mbresë në këtë shfaqje është serioziteti i punës me aktorët në realizimin e figurave artistike. Dukej se ishte punuar. Kishte ngulm, madje skrupulozitet, çka u vërejt në zotërimin si ansambël të një stili të mirëshestuar. Ideja regjisoriale, e kundruar si konceptim ndaj tekstit dhe më tutje, si rilexim i tij dhe pranëvënie me kohën dhe realitetin shqiptar, kishte bërë të mundur lundrimin në rrjedhat jo fort të lehta, shpesh tekanjoze, të sarkazmës politike. Thashë "sarkazmës", duke i dhënë më shumë profil, mëvehtësi dhe veçanti kategorisë së satirës ku ajo bën pjesë dhe ku sërish gëzon një farë pavarësie relative në sensin estetik. Po, ishte një sarkazëm e hidhur, e ashpër, e pamëshirshme, sfiduese. Diçka si nga karikaturat e Domjesë. Ose, në hapësirat semantike që ka fituar nocioni i groteskut nga teoritë e sotme. Po, një grotesk ku përzihet humori me tragjiken, e frikshmja me të llahtarshmen, e përçudshmja me të ultën. Sigurisht patëm rastin e mbrothtë që të shohim tej e tej një qasje groteske, të përpunuar me kujdes, pa tepri, përkundrazi të pastër, me peshoren që anonte jo nga elementet e lehtë të humorit si dhe burleska, por nga fshikulli i satirës politike, gjer edhe pamfleti. Brenda këtij vlerësimi, përzgjedhja regjisoriale e Arben Kumbaros ishte e qëlluar, madje inteligjente, duke realizuar impaktin e domosdoshëm me situatën shpirtërore të spektatorit shqiptar dhe realitetin e vrazhdë kriminal që gjëllon jo vetëm në basifondet e "të fortëve" dhe përgjithësisht në pjesën e vulgut, por gjer në rrethet qeveritare dhe politikbërjen. Përfytyroj se kjo përzgjedhje do të kishte impakt edhe më të fuqishëm, aty nga fillimi i viteve '90, sikurse pati simotra tjetër e autorit "Vizita e damës plakë". Veçse, nga ana tjetër, qasja groteske, në ndonjë vend a mizanskenë, kish nevojë për brushën e arkeologut, që relievet e të ultës dhe kriminales mos të "deklaroheshin" duke i enfazuar, përkundrazi të vinin edhe më ngjethëse, falë një "rrugaçërie" dhe gangsterizmi të "ri", edhe më të sofistikuar, dinak e tinzar se i pari. E kemi fjalën, pra, për një vetëpërmbajtje më të madhe në çiftin e djalit dhe vajzës së Frankut V. Them se këtu "grotesku", i kuptuar sa më sipër shpjegova, del nga korniza dhe binarët duke marrë brusha të farsës, të diçkaje të tejzmadhuar, që më dukeshin, herë-herë, recidive skematike apo enkas të konceptuara kësisoji, për ta bërë kinse më kriminale kriminalen, më të shëmtuar të shëmtuarën. Unë gjykoj se e tmerrshmja kamuflohet më mirë në formën e "elegantes", si duart e Ponc Pilatit; apo, më saktë, si gjarpërinjtë e Laokoontit. Jo bërtitje, vetëdeklarim, dhunë zanore, por vetësiguri e frikshme, hidhnim, tinzi. Njësoj si Arturo Ui. Sepse s'duhet harruar që Dyrrenmati ishte një pasues i teatrologjisë së Brehtit nga pikëpamja e poetikës dramaturgjike, me elementet e tjetërsimit, përzierjes së zhanreve, groteskut tragjik dhe animizimeve.
Shfaqja vijoi rreth a mbi dy orë. Sepse m'u krijua ndjesia e lodhjes. Gjë e rëndë, natyrisht. Ky stil dramaturgjik që aplikon Dyrrenmati nuk bën zot të situatës subjektin, pra peripecitë dhe aventurën, që krijon suspansin. Përkundrazi, posaçërisht te "Franku V", që s'është nga veprat më të bujshme të tij, fundi merret vesh thuajse që në fillim, sepse operohet jo aq me shkak-pasojën e dramaturgjisë klasike aristoteliane, por me ngjarjen e paraparë, së paku të nënkuptuar, kur ajo deklarohet në kryeherë, kur shpallet haptazi duke e asgjësuar "sekretin" fabulesk (çfarë do të ndodh?). Kërshëria pra s'vjen aq nga peripecia, porse duke vijuar me zinxhirin: krimi pjell krimin, kurthi kurthin, dredhija dredhinë. Prej kësaj optike do të mendoja që regjisori mund ta shkartiste tekstin, kur përsëritet gjithpo ajo situatë kriminale, po ato deklarata, veçse ndryshon paksa episodi nga episodi dhe format leksikore. Bie fjala, katër herë të katër personazhet rrëfejnë krime, që i lidh, sidoqoftë, po ajo frymë e po ajo ide. A s'mund të shkurtohej diçka këtu? Ose rituali të aplikohej jo në të njëjtën formë, por duke përdorur mjete të tjera shprehëse, si pantomimën, përshpejtimin, recitativin. A s'do të mjaftonte vetëm një herë trokitja ritmike e gishtave nervozë mbi tavolinën e krimit: kasë e arkivol?
Simbolet, alegoritë, metaforat ishin të mjafta në shenjëzimin regjisorial të Kumbaros. Imagjinata e tij ish e zgjuar dhe buiste. Syri ynë ndeshet me zgjidhjen skenografike të Genc Shkodranit: një vend plot kthina e prapthina, ku ngulet thika pas shpine e kryhet krimi tinëzisht; një ark-tabut me një bazoreljev të lexueshëm sakaq, ku gijotina e zotave bën kërdinë; silueti i një tempulli kishtar i stilit gotik, me xhamat blu të "qiellit të shtatë", që nënkupton doktrinën e krishterë, humanizmin, faljen, mëshirën, "karitasin", paqen, dashurinë. Por ja që e gjitha s'qenka veçse një fasadë, korpusi i krimit rrotullohet, bluja humbet, e kuqja e gjakut dhe e kafta e varrit na ngulfatin, tok me vegimin e qerthullit a labirinthit të vrasjeve të njëpasnjëshme që ndjekin skenën. Makiazhi apo "maska" e personazheve shënjëzohet në dy rrafshe semantike: shtrigërimi i zonjës me sy të nxirë, vetullat dhe portreti i Frankut, e kuqja në mollëza dhe anësoret e syve të sekretarit të Bankës, flokët e modelit alla Hitler të një killeri, dhe pastaj kostumet, që të sillnin ndërmend gangsterë, prostituta, prokurorë si priftërinj, me raso të zeza e të bardha, geta të kuqe grash të plakura apo pantallona si benevrekë shërbëtorësh pa dinjitet, doreza të kuqe (shpëlarja e gjakut gjatë krimit), këpucë të kuqe (snob të modës). Tutje kësaj, rrokje lehtësisht tatuazhin e palaços së cirkut, arlekinët dhe xanët fatkeq, lolot dhe gaztorët e teatrit politik që duhet ta bënin mbretin për të qeshur kur nervat i kish big. Bash kjo kllounadë, ky cirk bëmash sa të llahtarshme po aq të përçudshme, sa tragjike po aq komike, bëhet stil dhe lente regjisoriale për Kumbaron në këqyrjen e "semeve" që vijnë prej tekstit. Një kasafortë banke ku depozitohen paratë e krimit dhe të hajnisë, e cila shndërrohet herëpasherë në arkivol gëlltitës jetësh të më të dobtëve, gjer edhe të Frankut V nga i biri. Apoteoza e vrasjeve, e dhunimit, e pushtetit diabolik do të recitohet pikërisht majë tempullit të humanizmit, kishës gotike, aty ku edhe vet Hyu tallet dhe sfidohet ballaz nga fara e degjeneruar.
Thashë se ish bërë punë e lodhshme me aktrimin. Përgjithësisht. Pasi kishte edhe golle. Sidomos bjerrje të ritmit dhe dinamikës në interpretimin e partit muzikor, sikundër edhe disa teprime ku fjala bërtitej. Gjithsesi, loja lëvizi brenda një stili unik. Ishte krijuar ansambli. Njësia interpretative. Dhe nuk ishte e lehtë. Ndjehej djersa, latimi i karaktereve. Por nga mozaiku aktorial, unë do të veçoja posaçërisht Fatos Selën me Frankun V, që pat ruajtur me hir formatin tradicional të hajnit dhe kriminelit të njëhershëm, duke i dhënë shans e gjas prodit të vet, të birit, që të njëmendësohej tashmë në një tjetër format, për të krijuar kësisoji diferencën me të. Bujar Asqeriu ngjan se nuk rresht e nginjet në turin e suksesit të tij, çka dëshmon përkushtim profesional dhe ambicje artistike. S'ishte klisheja e gjakatarit, por e skilakut plak që e njeh mirë tabelën e logaritmeve dhe koreografinë e pushtetit. Luiza Xhuvani spikati me temperamentin e saj, sikurse Neritan Liçaj mundësoi përthyerjet e menduara të figurës së tij komplekse. Më tutje Mujo, Malkaj, Trebicka, Toçe, Angjeli etj.