Burg për Bubeqin, vrau 24-vjeçarin, plagosi 4 të tjerë
VLORË- Gjykata e Vlorës ka dhënë masën e sigurisë për Agim Bubeqin, ish futbollistin e Flamurtarit, që vrau me thikë një 24-vjeçar dhe plagosi katër të tjerë.
Seanca është zhvilluar nën drejtimin e gjyqtarit Hektor Sinani. Pasi është dëgjuar akuza, vetë autori i ngjarjes nuk ka pranuar të flasë, por nga prokuroria mësohet se ai ka deklaruar se është ngacmuar nga personat dhe reagimi i tij ka pasur një shkak. Gjithsesi të gjitha deponimet e tij janë marrë me rezerva, ndërsa nuk ka ende një konfirmim zyrtar për gjendjen mendore të ish futbollistit. Ky i fundit akuzohet për vrasje në rrethana cilësuese, krim që ndodhi tre ditë më parë. Nga goditjet me thikë ai i ka marrë jetën 24-vjeçarit Edmond Ngucaj dhe plagosi katër të tjerë, që ndodheshin në tavolinë me të.
Ngjarja tronditi opinionin vlonjat, për nga egërsia me të cilën u krye, por edhe nga emri i autorit, i cili është shumë i njohur në fushën e sportit. Ish futbollisti njihej si njeri me çrregullime të shëndetit mendor, në një kohë kur pranë spitalit psikiatrik të Vlorës nuk ka kartelë të hapur për të.