E Shtunë, 31 Tetor 2026

Burg për ata që kurdisin

Rusia është zotuar të ashpërsojë luftën ndaj korrupsionit dhe kurdisjeve në sport. Nikoqiri i Kampionatit botëror 2018 ka kërcënuar se do t’i dënojë me burg dhe gjoba, fajtorët për veprime kriminale, të lidhura me sportin. Deri më tani, fare pak persona janë dënuar për çështje të tilla, por me masat e reja që pritet të implementohen, besohet se fajtorët do të dalin para drejtësisë.

Presidenti Vladimir Putin planifikon të implementojë një legjislacion të ri në Rusi për të luftuar korrupsionin dhe kurdisjet e ndeshjeve në sport, me të cilin fajtorët do të dënohen me burgim deri në shtatë vite. Ministri i Sportit, Vitaly Mutko ka thënë se do të marrin masa të ashpra që përfshijnë gjoba deri në 32 mijë dollarë.

“Bëhet fjalë për një numër masash me synim të luftojmë falsifikimin e rezultateve, bastet ilegale dhe kurdisjet e ndeshjeve”, deklaroi Mutko. Derisa Rusia është duke u përgatitur për organizimin e Kampionatit botëror 2018, ekspertët sugjerojnë se kurdisjet e ndeshjeve dhe korrupsioni kanë vërshuar futbollin rus por deri më tani askush nuk është dënuar ose paraqitur para gjykatës. Vetëm një skuadër, ajo e divizionit të dytë Iriston Vladikavkaz është shpallur fajtore për tentim të kurdisjes së ndeshjes. Ajo u përjashtua nga liga më 1997 por më pas vazhdoi garat në rang më të ulët. Chris Eaton, ish shefi i sigurisë në FIFA, këshilloi Rusinë të merr masa të ashpra ndaj kurdisjes së ndeshjeve në vend se vetëm të pranojë problemin.

“Ju mund të shikoni ‘Librin e Zi’ të FIFPro-s për të mësuar se sa i rëndë është problemi në Evropën lindore dhe në Rusi”, tha Eaton më herët gjatë këtij viti për Reuters. FIFPro, unioni global i futbollistëve profesionistë, këtë vit publikoi një hulumtim prej gati 3.400 futbollistëve nga Evropa lindore që tregoi se kurdisjet e ndeshjeve në Rusi janë rritur në 43.5 përqind. Mutko, i cili kryeson edhe komitetin organizativ lokal për Kampionatin botëror 2018, mendon se masat e reja do ti ndihmojnë policisë të sjell kriminelët para drejtësisë.

“Gjëja më e rëndësishme është krijimi i një instrumenti ligjor që do ti mundësonte përforcimin e agjencive gjyqësore të kryejnë me sukses punën e tyre pas dyshimeve për rezultate të ndeshjeve”, theksoi Mutko. Mirëpo, presidenti i shoqatës së bastoreve në Rusi u shpreh skeptik rreth funksionimit të masave të reja në Rusi. “Mendoj se do të krijojë edhe më tepër kokëçarje për ne sepse do të na bënë më të përgjegjshëm për përcjelljen e bilanceve”, tha Oleg Zhuravsky për mediet lokale. “Asociacioni ynë ka bashkëpunuar me Federatën ruse për tashmë pesë vite por gjatë kësaj kohe Federata nuk e gjeti asnjë person të vetëm që do të analizonte informatat tona. Kurse, tani po flitet për marrjen e masave të reja që thonë se janë efektive. A ka kjo kuptim?”, përfundoi ai.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›