Burg per shoferin e kryekomisarit Tahiraj

Gjykata e Apelit në Durrës ka vendosur të lërë në burg, ish-efektivin Fatmir Hoxha, shoferin e Kryekomisar Adem Tahiraj, duke lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së krimeve të rënda. Rishikimi i masës së sigurisë u bë nga Gjykata e Apelit, pas kërkesës se avokatëve mbrojtës ndaj klientit te tyre. Gjykata e Apelit në Durrës vendosi masën “Arrest me burg” për ish-efektivin e policisë, Fatmir Hoxha ndërsa ka lënë të lirë shefin e krimeve, Kastriot Kosturanin të cilët shoqëronin Kryekomisarin e Shijakut, i vrarë pasditen e 13 shtatorit në Katund Sukth. Kosturani do të hetohet në gjendje të lirë pasi në 26 dhjetor, po gjykata e apelit i dha masën e sigurisë hetim në gjendje të lire. Ish-efektivi i policisë Fatmir Hoxha akuzohet për shpërdorim detyre, pasi nuk ka ndërhyrë për të parandaluar vrasjen e kryekomisar Tahiraj. Kryekomisar Adem Tahiraj, shef i Komisariatit të Policisë së Shijakut, u ekzekutua me pesë plumba pasditen e 13 shtatorit në fshatin Katund Sukth. Policia ndaloi pas disa orësh autorin e krimit, Ilir Xhakja.