E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tirane terminali multimodal i pasagjereve

Kompania italiane  “Ital – Ferr” i ka dorëzuar Bashkisë së Tiranës draftin e studimit të fizibilitetit dhe termat e referencës, për koncesionin e terminalit të ri të pasagjerëve në Tiranë.  Ky draft përfshin  studimin dhe analizat ekonomike të zhvillimit të transportit të udhëtarëve, për një afat 15 vjeçar, duke konceptuar dhe propozuar strukturën e terminalit, në një sipërfaqe prej  80.000m², në afërsi të kthesës së Kamzës.

Drafti i studimit jep një planimetri të terminalit dhe parashikon zgjidhje për:

• parkimin e autobusëve, mikrobusëve dhe automjeteve të tjetra të transportit të pasagjerëve;
• linjën hekurudhore  për stacionimin e  trenave që vijnë dhe nisen nga Tirana;
• linjën për stacionimin e tramvajit, si zgjidhje alternative e transportit të pasagjerëve që do të hyjnë dhe do të dalin nga Tirana;
• rrugët e brendshme të qarkullimit të automjeteve, tramit, etj, në territorin e terminalit;
• ambientet ndihmëse për mirëmbajtje, shërbime e furnizime të mjeteve të transportit;
• ambientet sociale dhe hoteleri, për akomodimin e udhëtarëve

Organizimi i funksionimit të terminalit përfshin autobusët ndërkombëtarë të kompanive shqiptare dhe të huaja, autobusët ndërqytetëse dhe urbane. Në pjesën lindore të këtij  terminali parashikohet parkimi i automjeteve private, me hyrje nga rruga e Stacionit të Trenit, ndërsa në pjesën perëndimore parashikohet parkimi i autobusëve ndërkombëtarë dhe ndërqytetëse si dhe  ambiente logjistike.

Vendet e parkimeve të autobusëve, mikrobusëve, taksive dhe automjeteve private, për fazën e parë janë:
 
• autobusë të linjave ndërkombëtare             34
• autobusë të linjave ndërqytetës                 57
• autobusë të linjave urbane                         15
• mikrobusë                                                       48
• parkim autobusësh                                           26
• taksi                                                                   20
• parkim i automjeteve private                         100

Nga ky terminal parashikohet të nisen dhe mbërrijnë në ditë:

• automjete                             10 000
• mikrobusë                                 3 700
• autobusë                                     900
• autobusë ndërkombëtarë           100
• autobusë urbanë                         180

Në këtë terminal do të vendoset stacioni i ri i trenit. Zhvendosja e stacionit të trenit i cili pritet të nisë brenda muajit janar i hap rrugë fillimit të ndërtimit të bulevardit të ri, projektuar nga studio arkitekturore britanike “Grimshaë”. Në terminalin multimodal të Tiranës do të jetë stacioni i tramit, shërbim i cili në Tiranë dhe Shqipëri do të ofrohet për herë të parë.  
Për studimin e  linjave të tramit në qytetin e Tiranës, BE dhe qeveria franceze kanë akorduar një fond prej 1 milionë e 250 mijë euro. Qeveria franceze ka miratuar 500 mijë  euro, për studimin e linjave të tramit, nga Kombinati në Kinostudio dhe nga Tirana e Re tek terminali multimodal, nëpërmjet bulevardit, ndërkohë që Bashkimi Evropian ka miratuar 750 mijë euro studim për linjën e tramit që do të shkojë rreth e qark unazës së qytetit.

Ky terminal parashikohet të ketë një kosto investimi në vlerën 25 milionë euro (me t.v.sh), e cila planifikohet të financohet nga BERZH, nëpërmjet një kompanie konçensionare e cila do të përzgjidhet sipas procedurave të prokurimit të BERZH-it. Drafti është duke u studiuar me drejtoritë përkatëse në Bashkinë e Tiranës, me qëllim realizimin sa më objektiv dhe eficient të këtij projekti.

Në tetor 2012, me një financim prej 500 mijë eurosh të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Bashkia e Tiranës lidhi  kontratën e konsulencës me kompaninë italiane “Ital - Ferr, lider në fushën e studimeve dhe projekteve të transportit në Evropë, për hartimin e studimit të fizibilitetit dhe përpilimin e dokumenteve të tenderit të koncesionit, për terminalin e Tiranës. Kompania “Ital - Ferr” u përzgjodh pas një gare të fortë mes 11 kompanive prestigjioze ndërkombëtare. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›