Qindra diploma false, pas djegies së arkivit të universitetit
Gjatë rrëmujave të vitit 1997 që përfshinë Elbasanin, nuk do të përjashtoheshin edhe arshivat e disa institucioneve të rëndësishme. Për fat, nuk është cenuar aspak godina pesëkatëshe e arkivit kryesor të këtij qarku, sikurse edhe ato të rrethit Librazhd dhe Peqin. Por nga vandalizmi i personave të papërgjegjshëm do të digjeshin pjesërisht arkivat e rrethit të Gramshit dhe ai i universitetit "Aleksandër Xhuvani" në qytetin e Elbasanit. Në këtë të fundit u dogjën plotësisht dokumentacionet e Fakultetit të Ciklit të Ulët, Matematikës e Histori-Gjeografisë. I vetmi që mbeti pa u djegur apo plaçkitur, dokumentacioni i Fakultetit të Shkencave Humane. Për pasojë, rreth viteve 2000 dhe në vazhdim, nga Universiteti i Elbasanit janë shënuar me qindra raste të diplomave false të shpërndara në shumë qytete të vendit. Ka qenë puna e policisë dhe e medias që kanë bërë denoncimin e diplomave false që rektorati i këtij universiteti, në vitin 2001 të ngrinte komisionin e posaçëm të verifikimit të diplomave false dhe të atyre të lëshuara para vitit 1997. Për këtë u kërkua verifikim nga anëtarët e komisioneve të diplomimit. Në përfundim u nxorën si të pavlefshme rreth 156 diploma që mbanin vulën dhe stemën e universitetit "Aleksandër Xhuvani". Sipas rektorit aktual, Liman Varoshi, komisioni është në fuqi ende dhe mblidhet për verifikim dhe vërtetësinë e një diplome, sa herë që ndihet një nevojë e tillë. Shumica e pedagogëve në këtë universitet kanë hedhur me kohë propozimin e dixhitalizimit të arshivës, por që sipas studimeve paraprake, kërkohen shumë fonde dhe nuk ka qenë e mundur të sigurohen.
Be.Dy.
Be.Dy.