Zjarr në godinën e të pastrehëve
FIER/ MAJLINDA RAMA
Godina ku strehohen të vobektët e Fierit u përfshi dje nga flakët. Rrjeti i amortizuar prej të cilit vuan i gjithë qyteti shkaktoi zjarr në ndërtesën e vjetër dykatëshe, duke rrezikuar dhe jetën e banorëve të saj. Zjarri u konstatua mëngjesin e djeshëm në godinën që ndodhet në lagjen “Liri Gero”. Banorët u zgjuan të tmerruar, si pasojë e tymit të shpërndarë gjithandej. Sipas vetë banorëve, të parët që e kishin konstatuar zjarrin kanë qenë dy të moshuar, të cilët banonin në katin e parë të kësaj godine. “Sa dëgjuam ata, morëm masa duke nxjerrë disa plaçka përjashta, se ndryshe do të ishim djegur edhe vetë brenda. Kështu patëm mundësi të parandalonim edhe flakët”, pohuan pas zjarrit banorët. Një pjesë e tyre kanë përdorur mjetet rrethanore duke izoluar vatrën e zjarrit, ndërsa të tjerët kanë evakuuar fëmijët, të moshuarit. Në këtë ndërtesë jetonin të moshuar, invalidë e familje të varfra dhe në nevojë, të cilat mbijetojnë vetëm me ndihmë ekonomike. Kur policia e zjarrfikësit kanë mbërritur e kanë pasur të lehtë shuarjen e flakëve, pasi vetë banorët kishin kontribuuar. Çfarë e ka bërë situatën alarmante sipas banorëve ka qenë edhe tymi, që ka bllokuar hyrjen dhe daljen e pallatit. Sipas burimeve nga vend i ngjarjes banorët kanë arritur të zbresin në kohë nga ndërtesa, duke mos u shënuar kështu asnjë i lënduar. Sipas grupit hetimor që po merret me këtë çështje në rast se zjarri do të lihej i pakontrolluar, për pak minuta tragjedia do të ishte e pashmangshme për këta banorë, pasi e vetmja nyjë komunikuese për familjet që jetojnë aty është pikërisht shkalla në katin e parë. Zjarrfikësit kanë mundur të nxjerrin nga të gjitha hyrjet edhe bombolat e gazit, me të cilat banorët gatuanin dhe ngroheshin. Kjo ka vënë nën kontroll edhe situatën e krijuar. Deri tani mësohet se dëmi mund të arrijë rreth 2 milionë lekë, por konkluzioni përfundimtar pritet të nxirret nga ekspertët. Dyshohet se një mbingarkesë në rrjetin elektrik të ketë provokuar zjarrin. Në këtë godinë banonin 7 familje, të cilat Bashkia e Fierit i kishte vendosur përpara 5 vjetësh, pasi nuk kishin mundësi strehimi. Kësaj ndihme të bashkisë i ishin bashkuar familjarë të vobektë, të sëmurë dhe të tjerë që nuk posedojnë të ardhura. Gjatë ditës së djeshme banorët u strehuan tek fqinjët apo të afërmit, pasi në godinë mbizotëronte tymi dhe mungonte energjia elektrike.
Pallatet e ’60-ës, frikë për banorët
FIER - Po kthehet në një makth të vërtetë për banorët fierakë fakti që po jetojnë në disa banesa të vjetra. Janë disa pallate të shpërndara në qytetin e Fierit, të cilat përdoren si strehë për këta qytetarë, por në të vërtetë po rrezikojnë jetën e tyre. Bëhet fjalë për pallatet e vjetra të viteve ‘60, suvatë e të cilave po bien çdo ditë duke rrezikuar kështu seriozisht banorët. Tavani i këtyre pallateve, pak nga vjetërsia dhe pak nga erozioni po gërryhet totalisht duke ndikuar edhe në shkatërrimin e suvasë. “Nuk kalojmë dot se na bien copa të mëdha suvaje mbi kokë. Më tepër na rrezikohen fëmijët të cilët nuk i kontrollojmë dot pasi luajnë në hapësirat mes pallateve”, thonë banorët. Ky problem bëhet edhe me evident kryesisht në ditët e shirave ku lagështira ndihmon që pjesë të suvasë të shkëputen duke rrezikuar jetën e banorëve. Më të rrezikuar janë banorët që jetojnë në pallatet e vjetër përgjatë bulevardit “Jakov Xoxa”, në lagjen “29 Nëntori” si dhe në lagjen “11 Janari”, ku janë rreth 22 pallate të vjetra të ndërtuara rreth viteve ’60. Nga ana e bashkisë jepet shpresë se së shpejti do të nisë restaurimi i godinave, por ende nuk ka një afat konkret. m.r
Pallati i shembur, familjet ende në xhami
BULQIZE - Asnjë zgjidhje për 15 familjet që mbetën të pastreha për shkak të shembjes së pallatit në qytetin e Bulqizës. 56 banorë, të ardhur kryesisht nga zonat malore të këtij rrethi, ishin sistemuar në pallatin e papërfunduar, duke ua blerë hyrjet banorëve që e kishin zaptuar atë në vitet ‘90-të. Shembja e një pjese të pallatit detyroi policinë e rendit dhe atë bashkiake të largojë forcërisht të gjithë banorët nga kjo ndërtesë. Bashkia afroi zyrat e ish-ndërmarrjes gjeologjike dhe kopshteve të qytetit për të pastrehët, por shumë shpejt drejtuesit e xhamisë afruan bujarinë e tyre dhe vunë në dispozicion mjediset e kultit fetar. Imami i xhamisë Bulqizë deklaroi se 15 familjet do të strehoheshin në xhami për një muaj. Ky afat ka mbaruar dhe ende nuk është afruar zgjidhje konkrete për 56 banorët e mbetur pa çati. Pak ditë pas ngjarjes u tha nga vendorët se këto familje do të strehoheshin në kompleksin e minierës, pas rikonstruksionit të këtij objekti. Madje u tha se qeveria do të lëvronte 22 milion lekë të rinj për restaurimin e këtij pallati, por ende nuk ka një zgjidhje konkrete. h.p