Burg tifozit, Cana akuza Prokurorisë së Madridit
Shfaqet në një rol të ri, si qendërmbrojtës, provon rolin e top- modelit në një revistë franceze dhe së fundmi kthehet në simbolin e tifozerisë dhe të skuadrës së Marsejës. Lorik Cana ka lëshuar akuza të forta në adresë të Prokurorisë Spanjolle ditën e djeshme, për shkak se kjo e fundit ka kërkuar 8 vjet burg për një tifoz të Marsejës të quajtur Santos Mirasierra. Ky i fundit ka qenë një ndër autorët e trazirave të ndodhura në stadiumin e Atletikos së Madridit "Vicente Calderon" më 1 tetor, kur policia spanjolle u përlesh me tifozët francezë. Santos Mirasierra akuzohet se ka bërë rezistencë ndaj forcave të rendit, një sjellje e dënueshme kjo sipas ligjit spanjoll. Dje, Prokuroria e Gjykatës Supreme të Madridit ka kërkuar 8 vjet burg ndaj tij, gjë që ka shkaktuar një reaksion të vërtetë në të gjithë Francën. I pari që ka folur ka qenë kapiteni i Olimpikut Lorik Cana. "Kemi mësuar se për të janë kërkuar tetë vjet burg. Kjo është e padrejtë, është e pashpjegueshme", ka thënë mesfushori kuqezi në një konferencë të posaçme për shtyp. "Pavarësisht rezistencës që i është bërë forcave të rendit në Spanjë, kanë qenë këta të fundit që kanë shfaqur defekte në sjelljen e tyre, duke kryer akte aspak normale", deklaroi më tej Cana. Çështja nuk duket aq e zakonshmenë një qytet futbolldashës si Marseja. "Pavarësisht rezultateve të mira që kemi marrë kohët e fundit, nuk mund të jemi të qetë, pasi një nga mbështetësit tanë është në burg", tha më tej kapiteni i Marsejës, që ka kërkuar një mobilizim të të gjithë opinionit publik për këtë. Ndaj tifozit të francez janë ngritur dy akuza. E para është ajo e prishjes së rregullit dhe qetësisë publike, për të cilën ai rrezikon 4 vjet burg. Ndërsa tjetra është "kundërshtim i autoriteteve", për të cilën rrezikon 4 vjet të tjera. Ndeshja mes Atletikos së Madridit dhe Marsejës u zhvillua më 2 tetor në "Vicente Kalderon" dhe përfundoi me fitoren 2-1 të skuadrës vendase.
Një lider
Marseja ka arritur dy fitore në dy ndeshjet e fundit, mes kampionatit e Champions League, megjithatë ajo kaloi një nga momentet e saj më të vështira në fund të muajit tetor. Arsyeja? Gjithçka lidhej me problemet e brendshme të ekipit, saktësisht një përplasje mes talentit të saj Hatem Ben Arfa dhe trajnerit Erik Gerets. Ish-lojtari i Lionit u la jashtë për ndeshjen kundër Paris Sent Zhermen, që është rivalja kryesore në Francë. Një vendim që habiti të gjithë tifozët dhe që çoi në disfatën 2-4 të Marsejës brenda në "Velodrome". Lorik Cana ka qenë njeriu që ka zgjidhur një situatë të tillë, e cila kishte ndikuar drejtpërdrejt në rezultatet e ekipit. Mesfushori shqiptar bëri që Ben Arfa të kërkonte falje dhe trajneri Gerets ta ripranonte në skuadrën titullare. Dhe rezultatet erdhën. Marseja barazoi me Nantën në transfertë, fitoi me Sente Etienin dhe PSV Eindhoven në shtëpi.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)