Rilindja e një ylli, bota në këmbët e Del Pieros
Kur Marçelo Lipi largonte nga Juventusi Roberto Baxhion, për t'i hapur rrugë një djaloshi të ri si Del Piero, në Itali ishte e paktë të thuhej se trajneri fitoi epitetin e një të çmenduri. Por, pas një dekade e gjysmë, "Ale" është sërish aty, duke tërhequr "Zonjën e Vjetër" dhe duke i dhuruar fitoren e parë në Madrid pas 46 vjetësh, në shifrat 2-0. Më saktë, që nga koha e Sivorit. Në "Santiago Bernabeu" duhet të jesh i jashtëzakonshëm për të fituar duatrokitjet e publikut madrilen. E kishte bërë këtë Ronaldinjo tre sezone më parë. Arriti ta bënte edhe Del Piero të mërkurën. "E nxorra vetëm për ato duatrokitje. Spanjollët janë fantastikë, nëse në fushë ka një kampion që bën çudira, e duartrokasin, pavarësisht se mund të jetë i skuadrës kundërshtare", shprehet trajneri Klaudio Ranieri, një njohës i mirë i ambientit në Spanjë, pas eksperiencave me Atletikon e Madridit dhe Valencian. Për "Pinturikion" ishte një natë speciale. Ai nuk ka shënuar kurrë në stadiumin e Realit, ndërsa këtë herë realizoi një dopietë. "Jetohet për këto emocione", tha pas ndeshjes numri "10" i Juventusit. Po, sepse para ndeshjes ishin të paktë ata që besonin se bardhezinjtë do të dilnin me pikë nga fusha e gjigandëve spanjollë. Por, e mërkura mjaftoi që njerëzit dhe shtypi në vendin e demave, të flasin për një njeri të vetëm. "Del Piero është vërtetë një rast për t'u studiuar", shkruan ish-kryeredaktori i "Gazzetta Dello Sport", Kandido Kanavo, në numrin e djeshëm. "Në momentin e golit të dytë, Kasijas duket sikur i thoshte: ç'të keqe të kam bërë?", shton ai.
Mediat
Dita pas Real-Juventus (0-2) ka dy protagonistë në Spanjë. Njëri ka emër e mbiemër, quhet Aleks Del Piero, ndërsa tjetri është një pikëpyetje e madhe mbi Realin dhe krizën që tashmë e ka firmosur Juventusi. "Del Piero del nga Bernabeu me duartrokitje, ashtu si Ronaldinjo", shkruan "Marca" në numrin e saj të djeshëm. "Del Piero zbulon lakuriq një Madrid impotent", titullon "Sport". "Bernabeu i dorëzohet Del Pieros" shpjegon "Publico". Ndërsa me gërma kapitale, titullon: "Përgjithmonë Pinturikio". "El Pais" shkruan: "Del Piero pikturon Madridin". Mjaftojnë këto tituj për të kuptuar nderimin ndaj kapitenit të Juventusit. Vetëm "AS" nuk ka një titull për të në faqe të parë. "Pak herë një lojtar i skuarës kundërshtare del me ovacione të publikut madrilen. Precedenti i fundit ishte në humbjen poshtëruese 0-3 të Realit ndaj Barcelonës, në kohën e Ronaldinjos. Pas golit të tretë të brazilianit, të gjithë u ngritën në këmbë për ta duartrokitur, duke pranuar dështimin pa kushte", shkruhet në editorialin e "Marcas". Në fakt, dy humbje ndaj Juventusit, në Spanjë ende nuk arrijnë t'i besojnë.
(s.g/GazetaShqiptare/BalkanWeb)