Burgaj: Ja qarqet problematike për kultivimin e lëndëve narkotike
Qarqet Vlorë, Shkodër, Gjirokastër, Tiranë dhe Durrës mbeten ende zonat më problematike sa i përket kultivimit të lëndës narkotike.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj gjatë një konference të përbashkët për shtyp me Drejtorin e Repartit të Aviacionit të Guardia Di Finanza, Stefano Bastonin dhe me Zv/Ambasadorin Italian në Shqipëri, Giuseppe Berlendi theksoi se dy policitë, ajo shqiptare dhe italiane janë duke bashkëpunuar dhe monitoruar nga ajri me avionë të specializuar, parcelat e drogës.
“Operacioni drejtohet dhe mbështetet nga Italia duke ndikuar dukshëm në rritjen e cilësisë së punës së policisë shqiptare. Nga filmimet ajrore është bërë i mundur fotografimi i të gjitha parcelave në vend dhe zonat më problematike janë Vlora, Shkodra, Gjirokastra, Tirana dhe Durrësi. Kemi të bëjmë kryesisht me sipërfaqe të vogla, larg zonave të banimit dhe në zona të thella malore” tha Burgaj.
Ndërsa e cilësoi luftëm kundër kultivimit të lëndëve narkotike si një nga prioritet kryesore të policisë së shtetit, Burgaj theksoi se me rëndësi është ç`rrënjosja e këtij fenomeni dhe dalja e Shqipërisë nga harta e vendeve kultivuese të drogës.
Autorët në shumë raste janë shpërngulur nga vendbanimet e tyre. Janë asgjësuar 108 raste dhe janë proceduar 33 shtetas; 23 janë arrestuar dhe të tjerë janë në kërkim. Në këtë operacion, policia ka angazhuar forca të specializuara të mbështetura nga helikopterë. Kontrolli dhe krehja e zonave do vazhdojnë deri në shtator sëbashku me asgjësimin e parcelave. Lufta kundër kultivimit të bimëve narkotike do të vazhdojë deri në heqjen e plotë të Shqipërisë nga harta e kultimimit të tyre” shtoi Burgaj.
Ndërsa Drejtori i Repartit të Aviacionit të Guardia Di Finanza, Stefano Bastoni vlerësoi bashkëpunimin me policinë shqiptare gjatë operacionit të monitorimit nga ajri të parcelave me lëndë narkotike.
Në fjalën e tij, Bastoni theksoi se një nga zonat më problematike për kultivimin e kanabisit mbetet Lazarati ku sipas tij nga vlera e shitjes së saj mund të përfitohet 4.5 miliard euro.