E Diel, 1 Nëntor 2026

Burgaj Ndryshimet e drejtoreve ndryshime qe ndodhin shpesh ne Polici

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Z. Hysni Burgaj, ditën e sotme, priti në një takim Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Republikës Federale të Austrisë, z. Herbert Anderl.

Në këtë vizitë zyrtare në Shqipëri, z. Anderl, shoqërohej nga drejtues të tjerë të lartë të strukturave të Policisë austriake.

Në kuadër të këtij takimi Drejtorët e Përgjithshëm të Policisë së Shqipërisë dhe Austrisë evidentuan bashkëpunimin shumë të mirë policor ndërmjet dy vendeve duke vlerësuar arritjet pozitive të deritanishme në kuadër të këtij bashkëpunimi reciprok si në drejtim të trajnimeve, goditjes dhe parandalimit të krimit te organizuar, trafiqeve të paligjshme, etj.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Z. Hysni Burgaj, theksoi se Policia e Shtetit ka përfituar mjaft nga eksperienca dhe trajnimet e zhvilluara nga ekspertë të Policisë Austriake dhe shprehu dëshirën që ky bashkëpunim të vijojë akoma më tej.

“Nëpërmjet këtij bashkëpunimi ne synojmë të arrijmë në operacione të përbashkëta për të luftuar krimin e organizuar si në Austri ashtu edhe në Shqipëri. Jemi të gatshëm t’ju japim mbështetjen e duhur në ato raste që nevojitet, me të vetmin qëllim të luftës së përbashkët kundër krimit. Eksperienca të tilla ne kemi edhe me shumë vende të tjera të cilat kanë rezultuar shumë të suksesshme. Ju garantoj se Policia shqiptare do të jetë një partner i denjë i juaji në luftën kundër krimit ”, theksoi z. Burgaj.
Po ashtu Z. Burgaj evidentoi rëndësinë e projekteve të përbashkëta ILECU I e ILECU II (Njësia e Koordinimit Ndërkombëtar për Zbatimin e Ligjit) dhe shprehu interesimin e tij për vijimësinë e këtij projekti si dhe për implementimin e Sistemit të Monitorit të Sigurisë.

Ndërkohë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Austriake, duke evidentuar bashkëpunimin e suksesshëm mes policive të dy vendeve tona, theksoi se: “Bashkëpunimi policor i cili funksionon mbi baza sigurie dhe besimi reciprok është thelbësor. Unë besoj se edhe ekspertët austriakë përfitojnë nga trajnimi me punonjësit e Policisë Shqiptare, prandaj edhe për mua bashkëpunimi në fushën e trajnimeve është shumë i rëndësishëm. Të dyja palët orvaten të arrijnë një nivel të përbashkët duke përfituar nga njëri-tjetri dhe shkëmbimi i eksperiencave. Gjithashtu, dua t’ju shpreh angazhimin tonë për mbështetje të vazhdueshme dhe thellimin e mëtejshëm të këtij bashkëpunimi”, theksoi z Anderl.

Duke iu përgjigjur interesimit të gazetarëve në lidhje me hetimet për vrasjen e gjyqtarit Konomi, z. Burgaj theksoi:

“Tashmë ne jemi duke punuar në mënyrë intensive nën drejtimin e Prokurorisë së Krimeve të Rënda. Nuk kam asgjë për të shtuar përveç deklaratës së parë. Presim dhe mundet të ecim drejt zbardhjes së ngjarjes”. Ndërkohë në lidhje me ndryshimin e drejtuesve të Policisë së Vlorës, u shpreh: ”Ndryshimet e drejtorëve janë ndryshime që ndodhin shpesh në Polici. Edhe për shkak të kësaj ngjarjeje, sigurisht që ka ndikuar. Mendoj që kanë shkruar për të forcuar rendin dhe sigurinë në Vlorë.”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›