Burgaj në Vlorë, çertifikata Lavdërimi katër punonjësve të policisë

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, ka marrë pjesë gjaatë ditës së sotme në ceremoninë e organizuar në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Vlorë, për vlerësimin e katër punonjësve të policisë, për profesionalizmin e treguar gjatë punës së tyre në luftën kundër krimit, duke bërë të mundur goditjen e disa grupeve kriminale me tendencë shkatërrimin e pronës me eksploziv dhe vjedhjen në qytetin e Sarandës.
Gjatë kësaj ceremonie, ku merrnin pjesë edhe drejtues dhe punonjës të tjere te Drejtorisë së Policisë së Qarkut Vlorë, 4 oficerëve të Komisariatit të Policisë Sarandë, iu dorëzuan Çertifikata Lavdërimi për shërbime të dalluara, në shenjë vlerësimi për punën e bërë në goditjen e grupit kriminal B-13 dhe kurorëzimin me sukses të operacioneve "Lëkurësi" dhe "Duralumini".
Në fjalën e tij përshëndetëse, z. Burgaj i përgëzoi oficerët e policisë për angazhimin maksimal në organizimin me efiçencë të punës për goditjen e këtyre grupeve kriminale me aktivitet të mprehtë, të cilët kishin kryer 19 vepra penale.
"Shpreh besimin se ashtu si deri tani, ju do të vazhdoni të punoni me përkushtim dhe ndërgjegje, për t`i shërbyer sa më cilësisht komunitetit, me qëllim për të rritur gjithmonë e më tepër standardet e rendit dhe të sigurisë publike", theksoi z. Burgaj.
Në fund të kësaj ceremonie, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, u dorëzoi 4 punonjësve të policisë Çertifikata Lavdërimi për shërbime të dalluara, me motivacionin për përkushtimin e treguar, profesionalizmin dhe arritjen e rezultateve të larta në luftën ndaj krimit, duke finalizuar me sukses operacionet policore për goditjen e disa grupeve kriminale në Sarandë me tendencë shkatërrimin e pronës me eksploziv dhe vjedhjen, duke kontribuar në rritjen e standardeve të rendit e sigurisë publike.