Kukës, transportohet me helikopter një grua shtatëzënë

Vazhdojnë rastet e emergjencave në zonat e izoluara nga dëbora. Një grua shtatëzënë është transportuar me helikopter nga komuna Arren në spitalin e Kukësit. Transportimi i saj erdhi pas një javë përpjekjesh si pasojë e motit të keq.
Ndërkohë gjatë ditës së sotme kanë rinisur reshjet e dëborës në veri dhe verilindje të vendit. Si pasojë, problemet dominojnë në shumë komuna, fshatra, por edhe në brendësi të qyteteve. Banorët vazhdojnë të bëjnë apel për ndihmë ushqimore, medikamente, por edhe në rastet më të vështira, për trasnprotimin e të sëmurëve me barrela, me krahë, apo me mjete të tjera rrethanore drejt spitaleve.
Nga dita në ditë janë shtuar banorët që nuk kanë tashmë as bukën e gojës, ujin e pijshëm, si dhe energjienë elektrike. Në qarkun e Dibrës rikthimi i reshjeve ka bllokuar sërish akset e hapur një ditë më parë. Sot pritet që nga Kryqi i Kuq 50 familje në nevojë të marrin ndihma ekonomike. Në fshatin Lashkizë të komunës Zalldardhë banorët rrezikojnë nga orteqet, ndërsa kreu i komunës u ka bërë apel që banorët të evakuohen nga zona.