E Diel, 1 Nëntor 2026

Përfundojnë misionin në Afganistan 267 efektivë të dy kontigjenteve

TIRANË- 45 forca të kontigjentit "EAGLE 3", efektivë të Batalionit të Forcave Speciale dhe 222 forca të kontigjentit 9-të të Batalionit të Motorizuar dhe Batalionit të Transportueshëm nga Ajri u kthyen të mërkurën në Atdhe, pas përfundimit me sukses të misionit luftarak, në Kandahar dhe Herat, të Afganistanit.

Në ceremoninë e pritjes së paqeruajtësve në ambjentet e komandës së Forcave Speciale në Zall-Herr, shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA-së, gjen/major Xhemal Gjunkshi, theksoi kontributin e jashtëzakonshëm që Forcat e Armatosura Shqiptare japin në misionet paqeruajtëse ndërkombëtare, në shërbim të paqes, lirisë dhe sigurisë në botë.

"Ju vepruat, zhvilluat dhe përmbushët me sukses operacione përkrah aleatëve tanë të NATO-s, duke dëshmuar profesionalizëm, disiplinë, kurajë dhe besim, duke i shtuar vlera të reja kontributit të FA-së në operacionet në shërbim të paqes", iu drejtua shefi i Shtabit, efektivave paqeruajtës.

Me urdhër të Ministrit të Mbrojtjes, Arben Imami, misionarëve të paqes iu akordua medalja: "Për pjesëmarrjen në shërbime ndërkombëtare", me motivacionin: “Për korrektësi të lartë në zbatimin e detyrave”.

Kontigjeni "EAGLE 3" u zëvëndësua para pak kohësh nga kontigjenti 'EAGLE 4", ndërsa kontigjenti i 9-të u zëvëndësua nga Kontigjenti i 10-të paqeruajtës.
(ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›