E Diel, 1 Nëntor 2026

Burgaj takon drejtorin e policisë kriminale italiane.

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, ka pritur sot një delegacion nga Policia e Shtetit të Italisë, i kryesuar nga Zv/drejtori i Përgjithshëm i Policisë Italiane dhe njëkohësisht Drejtor i Policisë Kriminale, z. Francesco Cirillo. Në fillim të këtij takimi, z. Burgaj evidentoi rezultatet pozitive të arritura gjatë bashkëpunimit të ngushtë mes dy policive respektive, duke përmendur raste të ndryshme të operacioneve të përbashkëta me Policinë italiane të konkluduara me sukses.
 

“Ky takim dëshmon bashkëpunimin e shkëlqyer dhe marrëdhënien e bazuar në besimin reciprok midis policive respektive të dy vendeve tona. Tek Policia Italiane kemi gjetur jo vetëm një partner të rëndësishëm në luftën kundër krimit, por mbi të gjitha kemi gjetur vullnetin dhe dëshirën e mirë për mbështetje të vazhdueshme.", theksoi Burgaj.
 

Ndërkohë, edhe Zv/drejtori i Përgjithshëm i Policisë Italiane, z. Francesco Cirillo, gjatë fjalës së tij, vlerësoi bashkëpunimin mjaft të mirë të deritanishëm me Policinë e Shtetit, duke theksuar angazhimin e mëtejshëm e institucionit që ai përfaqëson në mbështetje të saj."Duke u mbështetur në përvojën që ne kemi përftuar gjatë këtyre viteve në luftën kundër krimit të organizuar dhe fenomeneve të tjera kriminale, Policia Italiane mund të japë një kontribut të vlefshëm për Policinë Shqiptare me synim zhvillimin e mëtejshëm të saj.", tha Cirillo.

Në kuadër të kësaj vizite, po ditën e sotme pranë Ambasadës Italiane në Tiranë, është nënshkruar "Memorandumi i Mirëkuptimit" midis Italisë dhe OSBE-së, i cili konsiston në bashkëpunimin përmes projekteve të formimit duke ofruar asistencë për forcat e policisë shqiptare, që janë përfituese direkte te këtij memorandumi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›