E Diel, 1 Nëntor 2026

Burgu, toga lë pa punë gjykatën

 

KRUJE - Gjykata e Krujës u detyrua të pezullojë punën dje pasi toga e shoqërimit të të paraburgosurve ishte nisur për në Tiranë. Duke qenë se në punë ishte vetëm një grup shoqërimi, seancat e radhës nuk u zhvilluan. Toga e shoqërimit duhej të dërgonte në Spitalin e Burgut në Tiranë pesë të dënuar, të cilët ishin të sëmurë. Në këto kushte, Drejtoria e Burgut në këtë rreth nuk dërgoi asnjë të paraburgosur në këtë gjykatë. Burime nga gjykata e Krujës bënë të ditur se, drejtoria e këtij burgu kishte vetëm një togë shoqërimi në punë, çka detyroi gjyqtarët të shtyjnë të gjitha seancat gjyqësore. Të njëjtat burime pohuan se, "kjo anomali erdhi pasi toga e shoqërimit u nis me pesë të sëmurë, të cilët kishin shfaqur shqetësime serioze dhe duhej të merrnin me patjetër shërbimin mjekësor". Duket se shkurtimi i numrit të punonjësve të policisë nëpër burgje, po jep efektet e para negative. Jo rrallëherë, organeve të drejtësisë u është dashur të kalojnë afatet e paraburgimit gjatë gjykimeve, e për pasojë shteti është detyruar të dëmshpërblejë të paraburgosurit për kohën e qëndrimit në burg. r.n

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›