Tiranë, policia sulm për xhepistët e urbanëve
TIRANE - Ndalimi i disa adoleshentëve të dyshuar nga policia, duket se ka shpëtuar nga makthi i xhepistëve pasagjerët e linjave të ndryshme urbane në Tiranë. Vjedhësit në linjat e autobusëve apo që siç quhen rëndom "xhepistët", kanë mbetur pa punë gjatë tri ditëve të fundit. Agjentët e policisë dhe patrullat e komisariateve nr.1 dhe nr.4, kanë kryer disa ndalime të personave të dyshuar për vjedhje në autobusë. Reagimi i policisë ka ardhur pas një numri të madh kallëzimesh për vjedhje në autobusë. Efektivat e policisë kanë shoqëruar në komisariate mesatarisht pesë persona në ditë, ndërsa mes të ndaluarve të paktën katër prej tyre kanë rezultuar të skeduar në arkivat e policisë së kryeqytetit. Shoqërimet e të dyshuarve në polici janë kryer, pas kontrolleve të bëra nga agjentët kundër vjedhjeve në një aksion për vendosjen e rendit në linjat e Kinostudios, Porcelanit, Unazës, Uzinës Dinamo, si dhe të Tufinës. Të gjithë automjetet e shërbimit publik urban janë verifikuar dhe kontrolluar me përzgjedhje dhe vëzhgime në stacionet e autobusëve. Kontrollet dhe shoqërimet sipas burimeve të policisë, janë kryer mbi bazën e një plani masash të koordinuar mes komisariateve të kryeqytetit sipas zonave përkatëse. Kjo me qëllim evidentimin e të dyshuarve dhe personave të skeduar që qarkullonin në autobusë me qëllim vjedhjen e pasagjerëve. Burime të policisë së Tiranës pohuan për gazetën "Panorama" se, gjatë kësaj periudhe ata kanë shoqëruar në komisariatet rreth 17 persona të dyshuar si vjedhës të qytetarëve. Prej këtyre personave policia ka zbuluar se të paktën 10 prej tyre ishin të skeduar dhe daktiloskopuar më parë pasi kishin lënë gjurmët në vjedhje të ndodhura në Tiranë. Sipas burimeve të policisë, kontrollet janë organizuar në mënyrë të tillë, duke vëzhguar një stacion autobusi për një kohë të caktuar me efektivë policie të veshur civilë. Ata vëzhgonin të gjithë personat e dyshimtë, të cilët mbaheshin nën vëzhgim dhe kur përpiqeshin të kryenin vjedhje agjentët e policisë ndërhynin duke kërkuar shërbime shtesë për të shoqëruar personin në ambientet e komisariatit përkatës. Gjithashtu disa prej të dyshuarve të skeduar janë ndaluar nga efektivët blu, ende pa u ngjitur në mjetin urban ku do të kryenin vjedhje. Sipas burimeve të policisë shumica e xhepistëve, ngjiten në autobus për një apo dy stacione dhe zbresin pasi kanë kryer vjedhjen. Më pas ata rikthen në stacionin e mëparshëm ose në një tjetër, duke qarkulluar në një zonë të ngushtë në të njëjtin cikël. Pikërisht persona të tillë që përsërisnin udhëtimet kanë rënë në rrjetën e policisë. Burimet zyrtare pohojnë se, në një periudhë një mujore në komisariatet e ndryshme të Tiranës, janë depozituar rreth 15 kallëzime për vjedhje sendesh apo parash në autobusë. Sipas burimeve të policisë, në një pjesë të mirë të rasteve, të dyshuarit veprojnë minimalisht duke bashkëpunuar me një vjedhës të dytë. Personi i dytë afrohet ta frikësojë viktimën nëse ai ka kuptuar se po e vjedhin dhe mundohet të reagojë. Shumica e të dëmtuarve janë gra, ose persona të moshuar. Hetuesit thonë se pavarësisht këtij shqetësimi, denoncimet në komisariate janë të pakta në raport me vjedhjet që ndodhin realisht sepse të dëmtuarit ngurojnë të merren me raste të tilla duke i konsideruar si ngjarje si banale. d.b