Gjoba 70 milionë, Delijorgji padit Doganën e Durrësit
Fatos Mahmutaj
Mihal Delijorgji, i burgosur për tra-gjedinë e Gërdecit ka paditur Drejtorinë e Doganave, për një gjobë 70 milionë lekë të paguar në vitin 2004. Në fakt është vetëm një sasi prej 40% e gjobës 170 milionë lekëshe që doganat i vendosën atij në vitin 2004, në kohën kur biznesmeni u arrestua për evazion fiskal, të cilin sipas Prokurorisë e kishte konsumuar me shmangien e detyrimeve doganore të shoqërisë së tij "Përparimi" sh.a. Pas lirimit nga qelia në të cilën qëndroi pak javë, Delijorgji nisi gjyqet civile kundër Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave dhe Doganës së Durrësit, të cilave u kërkoi heqjen e gjobës 170 milionë lekëshe. Por, sipas ligjeve në fuqi, biznesmenit i duhet të paguante 40% të kësaj shume, në mënyrë që t'i jepej e drejta për të bërë ankimin administrativ. Duke mos pasur zgjidhje tjetër, Delijorgji ka paguar 40% të shumës dhe ka nisur ta zgjidhë konfliktin në mënyrë administrative me Doganën e Durrësit. Pasi ka humbur ai i është drejtuar fillimisht Gjykatës së Durrësit dhe më pas asaj të kryeqytetit, ku ka paditur edhe Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave.
Procesi për evazion
Në vitin 2006 Gjykata e Tiranës ka vendosur për rikthimin e shumës 70 milionë lekë kompanisë "përparimi" sh.a., ndërsa Gjykata e Apelit e kryeqytetit, pak ditë më parë ka vendosur prishjen e këtij vendimi dhe rikthimin e çështjes për rigjykim. Dosja, me palë paditëse kompaninë e Delijorgjit "Përparimi" sh.a. dhe palë të paditura Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave dhe Doganën e Durrësit, mbërriti dje në Gjykatën e Tiranës dhe pas hedhjes së shortit iu dorëzua gjykatësit Agim Bendo për ta shqyrtuar atë. Pritet që në ditët në vazhdim ky gjykatës të caktojë datën e parë të zhvillimit të procesit. Pikërisht Dogana e Durrësit ishte institucioni që i solli Delijorgjit përplasjet me drejtësinë në vitin 2004.
Problemet me drejtësinë
Duke shmangur detyrimet doganore të skrapit të nxjerrë nga demontimi dhe shitja e materialeve ushtarake, si dhe hekurit të importuar nga jashtë shtetit, Delijorgji kishte arritur të përfitonte shuma të konsiderueshme të hollash. Në momentin që u zbulua "mashtrimi", Prokuroria e Durrësit pas kallëzimit penal të doganave nisi çështjen në ngarkim të Delijorgjit, i cili u prangos ndërsa ndodhej në Tiranë. Ai kaloi disa javë në paraburgimin e Durrësit derisa Gjykata e Apelit e këtij qyteti e liroi kundrejt garancisë pasurore një milionë USD. Pak muaj më vonë, togat e zeza i hoqën Delijorgjit të gjitha masat e sigurisë, duke zhbllokuar edhe garancinë pasurore. Pas kësaj, për dy vjet e gjysmë me radhë Mihal Delijorgji u përball me drejtësinë në Gjykatën e Durrësit ku u gjet fajtor për "evazionin fiskal" dhe u dënua me gjobë. Por më vonë, Delijorgji, i pakënaqur nga dënimi, e dërgoi çështjen në Apel ku në dhjetor të vitit 2007 arriti të merrte pafajësi. Kjo ka përkuar me ditën kur ai lidhi kontratën me MEICO për demontimin e materialeve ushtarake në Gërdec.
Pafajësia në 2007, i hapi rrugë kontratës së Gërdecit
TIRANE - Pafajësia e Mihal Delijorgjit në dhjetor të vitin 2007, ditën që ai lidhi kontratën me MEICO për demontimin e predhave në Gërdec, pak javë më parë shkaktoi konflikt në KLD, midis nënkryetarit të Këshillit, Kreshnik Spahiu dhe ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj. Shkak për konfliktin ishte procedimi disiplinor për shkarkimin e tre gjykatësve të Apelit Ushtarak, të cilët gjykuan të komanduar në Durrës çështjen "Delijorgji". Spahiu dhe Alibeaj u përplasën pas disa deklaratave në media, ku të dy kërkonin shkarkimin e tre gjykatësve. Por deklaratat publike të numrit dy të KLD-së, u komentuan nga ministri Alibeaj si arsye për t'i hequr atij të drejtën për votimin në seancën e shqyrtimit të procedimeve për këta gjykatës. Ndërsa Spahiu pohoi se, ministri po vononte kërkesën për shkarkim. f.m.
Vendimi i Delijorgjit, 3 gjyqtarë në rrezik
Tre gjyqtarët Shaqir Gradica, Naum Pejo e Ylli Minka që i dhanë pafajësi Mihal Delijorgjit në dhjetor të vitit 2007, pritet të procedohen për t'u shkarkuar nga detyra. Burime nga KLD-ja pohojnë se, këta gjykatës janë njoftuar nga Këshilli për nisjen e procedimit disiplinor ndaj tyre dhe se në mbledhjen më të parë të këtij institucioni, do të shqyrtohet kërkesa e ministrit për shkarkimin e tyre. Tashmë gjykatësit janë njohur me materialet në ngarkim të tyre dhe kanë paraqitur edhe observacionet në KLD.