E Shtunë, 31 Tetor 2026

Duro, sot kundër Robinjos



Klodian Duro kundër yllit brazilian Robinjo. Nuk është një sfidë fantazie futbolli, por një realitet që do të përjetohet në Nikosia përballë tifozerisë së “tërfilave”. Omonia Nikosia e nuk e konsideron aspak veten inferiore kundrejt Mançester Sitit, në takimin e ditës së enjte (ora 19:00) në ishullin qipriot. Mesfushori i Kombëtares shqiptare Klodian Duro me dy golat e tij në barazimin 2-2 kundër AEK-ut i siguroi skuadrës qipriote kalimin historik në raundin e parë të Kupës UEFA. Duro është në formë të shkëlqyer fizike, por edhe një prodhues goli: 4 të tillë në javët e fundit, 3 me skuadrën e tij, Omonian e 1 me Kombëtaren dhe në deklarimet e tij për median shqiptare, por dhe ato qipriote u shpreh se e priste me padurim këtë takim për të treguar jo vetëm vlerat e tij si futbollist, por edhe cilësinë e ekipit qipriot. Trajneri i Omonias, Nedim Tutis beson shumë të Duro dhe u shpreh entuziast përpara takimit: “Do të japim gjithçka me pasionin dhe entuziazmin tonë. Kam gati planin dhe mendoj se do t’ia dalim. Gjithçka mund të ndodhë, shikoni se çfarë ndodhi me Greqinë në vitin 2004 dhe me Anorthosis këtë vit”.

18 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›