E Shtunë, 31 Tetor 2026

Burim Kukeli gati të luajë me Kombëtaren kundër Qipros dhe Zvicrës

Mesfushori që aktivizohet në kampionatin e Zvicrës me Zyrihun, pritet që të marrë Pasaportën Shqiptare dhe të jetë pjesë e Kombëtares sonë, pasi vetë lojtari ka shprehur dëshirën për të luajtur me Shqipërin

Burim Kukeli ka lindur në qytetin e Gjakovës dhe në moshën 4vjeçare emigron për në Zvicër, ku fillon të merret me futbollin e luajtur, në fillim si amator pastaj si profesionist, deri sa tani është lojtari i njërit prej klubeve më të mëdha zvicerane, FC Zyrih. Ai është 28 vjeç dhe në një intervistë Asport. info, Kukeli hap zemrën dhe rrëfehet në 360 gradë për fillimet e tij si futbollist, sfidat e një karriere që çdo ditë po shënon ngritje dhe ftesën që ti bashkohet  kombëtares Shqiptare.

Kur nisi karriera juaj futbollistike?

Me futboll kam nisur të merrem që kur isha 9 vjeç, ndërsa që kam kaluar në profesionalizëm në moshën 23 vjeçe.

Aktualisht jeni futbollist i FC Zyrih, çmund të na thoni për këtë klub?

Fillimi nuk ka qenë ashtu siç pritej, por besoj se do të kthehemi fuqishëm, pasi kemi një ekip shumë të mirë dhe me shumë potencial. Ajo çfarë na duhet është edhe pak kohë për të punuar dhe për të sjellë rezultate të mira për klubin.

A ekziston dëshira juaj për tiu bashkuar kombëtares Shqiptare, dhe a ka pasur interesim nga ana e FSHF-së për ju?

Ëndrra e çdo lojtari shqiptar është kombëtarja Shqiptare. Normalisht edhe unë kam shumë dëshirë dhe shpresoj të luaj një ditë dhe të jap kontributin tim për fanellën kuqezi. Drejtuesit e FSHF-së, më kanë kontaktuar disa herë, dhe kanë shprehur interes që unë të jem pjesë e përfaqësueses së Shqipërisë.

A i ndiqni ndeshjet e kombëtares Shqiptare, dhe çfarë mendoni për sfidën Zvicër-Shqipëri?
Po, natyrisht që i ndjek. Pothuajse të gjitha ndeshjet i kam parë. Për sa i përket ndeshjes me Zvicrën për një gjë jam shumë i sigurt, që stadiumi i Luzernës, ku do të zhvillohet ky takim do të ndizet edhe me ngjyrat kuqezi, sepse do të ketë shumë shqiptarë prezent për të mbështetur skuadrën e vendit të tyre. Ka shumë shqiptarë që jetojnë në Zvicër dhe për ta është rasti ideal që Kombëtarja e tyre e zemrës po luan një ndeshje në Zvicër.

Sa mundësi ka që ju ti bashkoheni kombëtares Shqiptare në dy ndeshjet radhës kundër Qipros dhe kundër Zvicrës?

Unë jam i gatshëm të vij, ftesa nga ana e FSHF-së ka arritur tashmë në klub, por unë akoma nuk kam Pasaportë Shqiptare, dhe jo gjithçka varet nga unë. Në momentin që do e kem Pasaportën në duar, do të jem aty. Si përfundim do doja të përshëndesja të gjithë shqiptarët kudo ku ata jetojnë, si në Kosovë, Shqipëri dhe në diasporë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›