Burimi pejan

Tash e disa dekada i hallakat kosovarët. Një kohë edhe ish–Jugosllavinë. Nuk është femër. Bëhet fjalë për birrën e Pejës. Ka 30 vjet që kjo birrë është në dorën e secilit. Që nga biznesmeni, e deri te punëtori, i cili gjendet maje çatisë. Prodhohet në qytetin më në perëndim të Kosovës – Pejën që tash e disa vjet është shndërruar në oazë të kompanive më të rëndësishme të shtetit të ri. Në krye të tyre, qëndron Kompania Dukagjini, me produktin e saj kryesor, birrën e Pejës.
Pak kohë para se kjo fabrikë të bjerë përtokë, u privatizua dhe pësoi një ndryshim revolucionar. Tash, planifikimet e menaxhmentit dhe investimet multimilionëshe në Birrarinë e Pejës, produktin Birra Peja do ta bëjnë një prodhim jo të veçantë si deri më tash. Derisa ekipi i Expressit vizitoi këtë fabrikë, montohej një makineri dhe kazanë në vlerë prej mbi pesë milionë eurosh. Makineri e cila do të prodhojë me dhjetëra produkte, ndarazi prej asaj të birrës. Në muajin tjetër, prej kazanëve të saj do të dalin edhe 25 produkte të tjera, pa përfshirë këtu edhe Birrën Peja. Pos kësaj, Birra Peja, është bërë edhe distributor i partnerit të vet slloven në këtë fabrikë, për produktet e saj që janë të shumta duke u nisur prej lëngjeve SOLA, birrës Union...
Birraria po shndërrohet shpejt në një fabrikë jo vetëm të pijeve alkoolike. Pas dhjetë ditësh, drejtori i Birrarisë, Arbër Muhaxheri, beson se do të dalin produktet e para joalkoolike. Duke nisur prej ujit natyral, të gazuar, lëngjeve të pemëve, pijeve energjike... dhe shumë të tjera. Gjithashtu janë pajisur edhe me teknologjinë për prodhimin e kanaqeve të birrës dhe lëngjeve, të cilat deri më tash janë bërë në Slloveni.
“Deri më tani janë investuar mbi 23 milionë euro dhe këto investime kanë bërë që kjo fabrikë të prodhojë deri në 300 hektolitra birrë dhe shumë produkte të tjera alkoolike dhe joalkoolike”, tha Muhaxheri. Kapacitet, tregoi ai, shkojnë deri në një mijë hektolitra, por për shkak të konsumit të vogël në vend, janë detyruar të kufizohen në këtë masë prodhimi.
Aktualisht birra e Pejës është lider në tregun kosovar me mbi 80 për qind. Qysh në pranverë, drejtuesit e kësaj kompanie planifikojnë të zgjerohen në krejt tregun e Ballkanit. Tashmë janë futur fuqishëm në Shqipëri. Shpejt do të zgjerohen në Mal të Zi dhe më vonë në Maqedoni.
“Kapacitetet tona të prodhimit janë shumë të mëdha dhe ne duhet të zgjerohemi në shtete të tjera me këto produkte”, tha Muhaxheri. Aktualisht janë në treg vetëm me Birrën Peja, atë Premium Peja dhe Peja Zero. Ajo Premium është ndër pijet më të konsumuara në Prishtinë dhe konsiderohet si një birrë konkurruese për nga cilësia e lartë me ato botërore.
“Ndër faktorët kryesorë të cilësisë së birrës tonë është se ajo përbëhet me 100 për qind elb që radhitet ndër birrat e pakta në botë që prodhohen me këtë masë elbi”, tha drejtori. Fabrika ikonë e qytetit të Pejës është fort e dëshirueshme për qytetarët e saj. I qëndrojnë besnikë në konsum, me përjashtime të një mase të vogël. Të gjithë konsumojnë birrë lokale.
“E dojmë fort këtë fabrikë, birrat po i bajnë fort të mira dhe s`pimë asnjë birrë tjetër”, tha Genc Nikçi.
Ata e donë edhe për punësimet e mëdha që kanë ndodhur aty. Ka mbi 250 punëtorë. Pak më shumë sesa i nevojitej kësaj fabrike vetëm për ta ulur numrin e papunësisë në qytet.
Para disa vitesh, kjo fabrikë u privatizua nga ish-Agjencia Kosovare e Privatizimit përmes formës së spin-offit special. Oferta më e mirë ishte e pronarit të kompanisë Dukagjini, me pronar Ekrem Llukën. Qysh atëherë, biznesmeni Lluka s`i ka ndalur investimet në këtë fabrikë, duke e bërë kështu fabrikën më të suksesshme në vend dhe me kapacitetin më të madh prodhues në Kosovë.