E Shtunë, 31 Tetor 2026

Burkhard prezanton filmin e tij

Ekipi i filmit të metrazhit të mesëm ‘Bridges’, i cili u shfaq të hënën në kuadër të PriFilmFest, në të cilin luan aktori i njohur Gedeon Burkhard, mbajti konferencë për media, me ç’rast shpjeguan se si është punuar filmi. Nga Alfred Beka më 28 shtator 2011 në ora 16:17

Aktori i njohur gjerman Gedeon Burkhard e prezantoi filmin e tij ‘Bridges’, i cili konkurron në kategorinë e filmave të metrazhit të mesëm në PriFilmFest. Në këtë film ai e luan rolin e një piloti amerikan, i cili merr pjesë në bombardimin e Berlinit gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Përpos tij, të pranishëm në konferencën për media, që u mbajt të martën në PriFilmFest Lounge para Teatrit Kombëtar, ishin edhe regjisori i filmit Miguel Pate si dhe producenti Florian Frerichs.

Regjisori Pate u shpreh se ka qenë pak vështirë të futet e tërë ngjarja brenda një skene, mirëpo, shtoi se loja e aktorit kryesor e ka bërë atraktive dhe gjithmonë e ka mbajtur ritmin dhe adrenalinën. Pate ka bashkëpunuar edhe më herët me aktorin Burkhard, si për shembull në filmin ‘Inglourious Basterds’, në të cilin Burkhard luan bashkë me aktorin e njohur amerikan Brad Pitt, ndërsa Pate ka qenë ndihmësregjisor i regjisorit Quentin Tarantino. Ai nuk qëndroi shumë në konferencë pasi që iu deshtë të largohej nga Kosova, ndërsa për filmin folën aktori Gedeon Burkhard dhe producenti Florian Frerichs.

Burkhard tregoi se si producenti i filmit ka kontaktuar me të dhe ia ka dhënë skenarin për ta lexuar dhe pasi i kishte pëlqyer skenari kishte pranuar të luajë në film. Edhe pse filmi është gjysmë i animuar, Burkhard tha se nuk e ka pasur të vështirë të luajë në këtë film.
“Filmi nuk është i vështirë të luhet, duke qenë se kam pasur eksperienca edhe më herët. Ngjarja ka qenë pak vështirë të interpretohet mbasi kanë qenë shumë skena në një”, tha aktori gjerman, i cili duket se ka një lidhje paksa të afërt me shqiptarët, pasi që është stërnip i aktorit të njohur shqiptar Aleksandër Mojsiu.

Duke folur për filmin, Burkhard shtoi se ka pasur edhe animacione ku aktorit i është dashur të luajë me mimikën, por theksoi se kjo gjë i është dukur interesante. Gjithashtu shtoi se loja e dy aktorëve të rinj i ka pëlqyer jashtë mase.

“Jam mrekulluar prej lojës se dy aktorëve tjerë”, tha ai.

Ai fillimisht kishte hezituar ta marrë këtë rol për shkak të natyrës së luftës që ka pasur skenari, mirëpo kur e ka pa skenarin për herë të parë e ka kuptuar që duhen pak tipare mashkullore, një karakter i tillë që atij i duhet ta realizojë dhe tha se nuk i është dukur rol i vështirë në krahasim me ato si përkrah aktorit Brad Pitt.

Aktori Gedeon Burkhard ka luajtur në disa filma, prej të cilëve mund të përmenden ‘The Last Train’, në regji të Joseph Vilsmaier, ‘Melodies of Spring’, në regji të Martin Walz, ‘Golden Times’, në regji të Peter Thorwart dhe ‘Making Up, në regji të Katja V. Garnier.

Ai është shpallur fitues i çmimit Aktori më i mirë nga Bavarian Film për punën e tij në ‘Acting it out’. Burkhard gjithashtu ka fituar një çmim Romy për Aktorin më të mirë për hit serialin televiziv ‘Detective Rex’, i cili u shit në më shumë se 140 shtete të huaja. Ai gjithashtu drejtoi serialin e suksesshëm televiziv ‘Alarm for Cobra 11’, i cili u transmetua në më shumë se 120 shtete. Gedeon Burkhard ndodhet në Prishtinë edhe në cilësinë e kryetarit të jurisë ndërkombëtare në PriFilmFest. Sot (e mërkurë), në kuadër të ‘Takohu me...’, ai do të flasë për jetën dhe karrierën e tij.

Bridges

Kapiteni Saul Bridges është pilot i një bombarderi amerikan në Luftën e Dytë Botërore. Para përfundimit të luftës aeroplani i tij qëllohet mbi Berlin. Edhe pse pëson lëndime shumë serioze, ai mbijeton sepse një djalë i vogël dhe motra e tij 16 vjeçare e fshehin dhe kujdesen për të. Traute dhe Lukas e kanë humbur nënën e tyre gjatë një sulmi ajror. Që atëherë Lukas nuk flet më, por një afeksion i padukshëm sikur e lidh atë me Bridges, pasi që babai i Lukas ishte gjithashtu pilot.

Tri vite më vonë, qytetarët e Berlinit furnizohen nga ajri. Kapiteni Bridges, tanimë pilot i të ashtuquajturës ‘bombardues karamel’ kthehet në vendin të cilin e bombardoi gjatë luftës dhe jeta e të cilit i ishte shpëtuar nga njerëzit të cilët ka ardhur tani t’i shpëtojë. Për shkak të mjegullës së dendur, aeroplani i tij rrëzohet në Aeroportin Tempelhof.

Midis shumë peripecive Bridges takohet me dy fëmijët Traute dhe Lukas, jeta e të cilëve kërcënohet nga ish nazisti Neidhardt. Në një shkëmbim dramatik Neidhardt vritet dhe Bridges ia del t’i shpëtojë heroikisht Traute dhe Lukas, duke e sakrifikuar jetën, të cilën ia kishin shpëtuar të dy fëmijët tri vite më herët. Filmi përfundon me fjalët e para që Lukas i flet që nga vdekja e nënës së tij, e cila shënon fillimin e një epoke të re dhe njerëzve të ri: Faleminderit!

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›