Burns: Serbia duhet të njohë Kosovën
Mendoj se do të jetë e rëndësishme që Serbia ta njohë plotësisht të drejtën e Kosovës, që të ekzistojë si një shtet i pavarur. Kjo ka qënë deklarata e dhënë nga Nicholas Burns, ish- nënsekretar amerikan i Shtetit, ndërsa theksoi se është pozitive që Kosova dhe Serbia të nisin dialogun.
Në një intervistë për “Radion Evropa e Lirë”, ai theksoi se dialogu mes palëve është një gjë e mirë, sikundër palët të përkushtohen për zgjidhje paqësore.
Megjithatë, mendoj se do të jetë e rëndësishme që Serbia ta njohë plotësisht të drejtën e Kosovës që të ekzistojë si një shtet i pavarur. Mua ky më duket si hapi i parë elementar që duhet të ndërmerret, ka theksuar më tej profesori Burns.
Ai citoi se Serbia për t’u bërë pjesë e BE-së dhe NATO-s, duhet të pranojë faktin se Kosova është e pavarur dhe se çfarëdo dallimi që ekziston midis dy vendeve, duhet të adresohet me mjete paqësore, negociata, kompromise dhe jo me kërcënime.
Situata në veri të Kosovës ishte një tjetër çështje, në të cilën ai e cilësoi shqetësuese.
Është shqetësuese në kuptimin që ka ende disa qarqe që u japin merita atyre, të cilët ende mendojnë për Kosovën në mënyrën e vjetër dhe nuk do ta pranonin pavarësinë e Kosovës. Prandaj, mendoj se komuniteti ndërkombëtar, NATO-ja, Bashkimi Evropian dhe Kombet e Bashkuara, kanë përgjegjësi për të vazhduar që të jenë të angazhuar në nivelin e mbështetjes së pavarësisë së vërtetë të Kosovës dhe të mbështesin përfshirjen e këtij shteti, në sistemin ndërkombëtar.