Burokracia e shenjtërimit*
Ada Calhoun
-Javën që shkoi, Papa Francesku miratoi shenjtërimin e dy paraardhësve të tij - Gjon Palin II dhe Gjon XXIII - ndonëse këtij të dytit i atribuohet vetëm një mrekulli, në vend të dy të tillave që kërkohen zakonisht. Nënë Tereza, e cila vdiq në vitin 1997, nuk ka përfituar të njëjtin përjashtim (edhe ajo ka vetëm një mrekulli) dhe mbetet deri më tani thjesht e lumturuar. Duke qenë një vullnetare me Nënë Terezën për një farë kohe, e gjej veten time të rrënjosur në kauzën e saj. Dhe në parim, unë jam e zhgënjyer nga mesazhi që vjen, kur dy burra me trashëgimi komplekse tejkalojnë një grua, e cila ia përkushtoi veten tërësisht shërbimit ndaj të tjerëve.
Dy vjet përpara se Nënë Tereza të vdiste, unë munda ta shoh punën e saj direkt. Isha 18 vjeç, duke udhëtuar nëpër botë pjesën më të madhe të vitit. Pasi kalova disa kohë në Bangladesh, hyra në Indi përmes Kalkutës, duke qëndruar në një fjetore me një dollar nata, që quhej “Hotel Maria”. Fjeta në çati dhe më pas takova disa australianë që kishin dalë vullnetarë për Nënë Terezën. Një ditë unë iu bashkova atyre. Në agim, duke ecur përmes lypësve të pafundmë të qytetit, maceve dhe qenve të ngordhur arritëm në Shtëpinë e Nënës, selinë e Urdhrit, "Misionarët e Bamirësisë". U dërgova në mision për më të mëdhenjtë. Aty kalova ditën duke larë njerëz në moshë të thyer, rrobat dhe enët. I ndihmoja të ushqeheshin me oriz dhe të shtriheshin në shtrat.
Në javën që pasoi unë pashë sesi anëtarët e urdhrit me një flotë të improvizuar karrocash lëviznin nëpër rrugët e Kalkutës dhe ktheheshin përherë e me më shumë njerëz në gjendje akute të vuajtjes dhe neglizhencës, madje disa prej tyre vetëm pak orë larg vdekjes. Në natën time të fundit në Kalkuta, Nënë Tereza më bekoi, më dhuroi një medaljon të Virgjëreshës Mari dhe më tha të kthehesha një ditë. Ndonëse nuk jam katolike, unë u preka nga angazhimi i saj për punën, e cila duhej të ndihmonte në përballimin e një lumi trishtimi dhe dhimbjeje njerëzore, duke vuajtur dhe kërkuar ndihmë direkt në derën e saj.
E di që të bëhesh shenjtor është një proces mistik, jo një provim kualifikues, por ashtu si ngjarjet e fundit na bëjnë të kuptojmë, nëse Vatikani dëshiron dikë të shenjtë, ai mund të bëjë që kjo të ndodhë. Pyes nëse Vatikani është ndikuar vallë nga kritikët e punës së saj. Më i famshmi, sigurisht libri “Helmi misionar” i vitit 1995, shkruar nga Christopher Hitchens. Ai e kritikon atë ndër të tjera, që nuk ka ofruar në klinikën e saj një kujdes mjekësor më të mirë dhe për marrje fondesh nga njerëz si Charles H. Keating Jr., një financier famëkeq dhe diktatori haitian, Jean Claude Duvalier. Nënë Tereza ka qenë gjithashtu subjekt edhe i akuzave online, që e quajnë atë hipokrite pse shkoi në një spital modern kur u sëmur dhe pse fluturonte në avion me bileta të klasit të parë.
Hemley Gonzales nga Majami, një ish-vullnetare e zhgënjyer e "Misionarëve të Bamirësisë" administron një faqe në Facebook të quajtur “Stop the Missionares of Charity”. Ai dhe të tjerë, këmbëngulin se gruaja kaq shumë e admiruar se ndihmoi të varfrit, tregoi shumë pak interes në kauzat e varfërisë, duke e parë këtë të fundit si diçka që duhet pranuar dhe jo eliminuar: “Unë mendoj se është shumë e bukur për të varfrit që të pranojnë fatin e tyre” tha ajo njëherë “që ta ndajnë me pasionin për Krishtin”. Mes shumë mbrojtësve është edhe një prift i përzemërt kanadez, Brian Kolodiejchuk. Ai drejton qendrën “Nënë Tereza” dhe bashkëpunoi me të në shumë projekte dhe është “postuluesi” i saj zyrtar.
Kjo ka kuptimin që ai është i ngarkuar për të hetuar deklarimet se, ndërhyrja e saj në emër të Zotit, duke u lutur, ka rezultuar në çast me një mrekulli të vërtetë dhe përfundimtare - njësoj si një kurë mjekësore. Më tej, Vatikani, do ta vlerësojë këtë gjë për kanonizimin e saj dhe do të shkojë më tutje. Kolodiejchuk është ende në kërkim. Ndërkohë, vijoj të pyes nëse ka diçka rreth Nënë Terezës që ka shkaktuar pezullimin e mundësisë së shenjtërimit të saj. Në një libër me përmbledhje letrash, të botuar pas vdekjes, “Ji drita ime” ajo shkroi: “Jezusi ka një dashuri shumë të veçantë për ju. Sa për mua, heshtja dhe boshllëku është kaq i madh saqë unë kam pamje, por nuk shikoj, veshët më gumëzhijnë, por nuk dëgjoj”.
Disa ateistë, jo pa gëzim, i përshkruajnë këto shënime si rrëfimin e dyshimit. Por ai libër e bëri atë edhe më të dashur për shumë njerëz, përfshirë mua. Fakti se ajo ndjehej e përfshirë në dyshime, por vazhdoi të bënte kaq shumë (ndonëse kjo nuk ishte gjithçka e imagjinuar nga standardet e Perëndimit) është frymëzuese për ata prej nesh që përpiqen të shumëfishojnë mirësinë njerëzore edhe në kushte të mungesave më të mëdha. Ndoshta është pikërisht pranimi prej saj i këtij dështimi apo gabimi që po e shtyn shenjtërimin e saj. Por ndoshta ajo është shumë njerëzore për të qenë një shenjtore.
Marrë nga "New York Times"
*Titulli është redaksional