E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qytetarët që i mungojnë Shqipërisë

Namik Selmani

-Kur para disa vitesh, UNESCO-ja e vuri Gjirokastrën në listën e qyteteve më të bukur të njerëzimit, zemra ma donte pak më shumë se herët e tjerat që ta shihja edhe më afër këtë qytet. Të madhështohesha edhe unë që kam shkelur jo shpesh në rrugicat e tij të gurta apo të ngjitem në lakadredhat e udhës drejt kalasë që ka një muze nga më interesantët në Shqipëri, e të mos e matja kulturën e statusin e saj aq të lakmuar nga qytete të tjerë në mbarë botën, por edhe të hyjanë atë degëzim njerëzor që i kishte dhënë frymën këtij qytetërimi kaq të lashtë e të ri.

E në këtë meditim njerëzor, po edhe krijues m’u fut në përfytyrimin tim Kalaja e Gjirokastrës, herë si një burg i ftohtë, ku kalonin ditët-ferr, shumë intelektualë të shek. XX për fjalën e tyre të lirë. Por edhe shumë kohë më parë se ato vite. Herë si një vlerë monumentale, që do ta kishin zili edhe qytete të tjerë në hartat e tyre turistike, një befasi. Si portë prej nga do të lindnin sa e sa këngë, legjenda, gojëdhëna. Njerëz si Baftjar Dobi janë çelësat më të sigurt të hapjes së këtyre dyerve që do të na ndjekin në shekuj, jo thjesht me mistikën e tyre, me dritën që do të na japin, por edhe me fytyrëskuqjen, se nuk kemi bërë dhe aq sa duhet të gjithë dhe veç e veç shumë më tepër për të.

Edhe pse është invalid me dorën e djathtë para 12 vitesh, ai ka botuar librin e tij “Gjirokastra jonë”... Ndoshta ishte afërsia kulturore me Çamërinë që u bë sofra e parë e kulturës sime, që më ka bërë ta shoh me sytë më të dashuruar këtë qytet apo edhe afërsia me Beratin ku për shumë e shumë vite punoj, pse jo edhe propagandoj ato vlera që kanë të dy qytetet tashmë binjakë të UNESCO-s. Jo vetëm që nuk gaboj që ta quaj një gjirokastrit të mrekullueshëm, por edhe një ballkanas të kulturuar, me përfytyrimin e portretit më të mirë të një ballkanasi të së nesërmes. Na shkon mendja edhe te një ngjarje po kaq e rëndësishme e jetës së tij, edhe pse ajo nuk lidhet me një ngjarje të familjes.

Kjo i jep atij edhe një Kurorë tjetër nderi për atë që ka bërë deri tani për vendlindjen. Më saktë, është firma që ai ka hedhur si Sekretar i Forumit të Intelektualëve të Gjirokastrës për pranimin e këtij qyteti në UNESCO. “Kam hedhur me mijëra firma në jetën time, - na thotë ai, - edhe tani hedh, ndonëse më pak, por firma që zyrtarizonte pranimin e Gjirokastrës në UNESCO është për mua firma më e paharruar. Këtu nuk ishte fjala vetëm për qytetin tonë, por për mbarë kombin". Firma jonë u hodh përkrah shkrimtarit të njohur Ismail Kadare.


Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›