E Shtunë, 31 Tetor 2026

Burrë dhe grua, sa e vështirë!

Spiro Duni prezanton komedinë "Mbroni shpellarin".


"Mbroni shpellarin" është një monodramë (në thelb është një komedi) mbi marrëdhëniet që ekzistojnë mes burrit dhe gruas", kështu e ka përcaktuar dje gjatë konferencës për shtyp veprën që vë në skenë regjisori Spiro Duni.


Premiera, sot edhe nesër në sallën e vogël të Teatrit Kombëtar në orën 19.00, prezanton njëherësh Dunin edhe si aktor.


Janë rreth 25 histori të shkurtra që Duni i ka cilësuar si historiçka, ato që tregojnë një nga marrëdhëniet më të vështira të njerëzve, marrëdhënien burrë-grua. Monodrama e Rob Becker ka ardhur në gjuhën shqipe nga përkthyesi Artur Lena.


"Vepra e përkthyer i qëndron besnike origjinalit. Nuk kemi tentuar ta shqipërojmë", ka theksuar regjisori. "Mbroni shpellarin" është një komedi e cila tregon diferencën që ekziston mes burrave dhe grave.


Autori duke mos qenë as vetë i sigurt cilën anë të mbajë lëkundet herë nga njëra palë e herë nga tjetra duke treguar simpati për të dyja.


Në këtë pjesë, sipas regjisorit tregohet marrëdhënia më e vështirë që ekziston ndër marrëdhëniet njerëzore, por jo më e pamundura. Sipas Dunit çdo gjë mund të realizohet nëse ekziston toleranca dhe bashkëpunimi.


Pak muaj më parë, regjisori vuri në skenë dramën "Fishkëllimë në errësirë", Tom Murphy, një vepër tërësisht realiste, për pasojat e dhunës brenda lidhjeve të gjakut.
Duke e krahasuar me "Shpellarin" Duni gjen megjithatë ngjashmëri mes tyre: të dyja japin mesazhe për familjen dhe trajtojnë tema sociale mjaft të mprehta.


Me këtë monodramë ai realizon prodhimin e dytë skenik me kompaninë e tij teatrore "Studio e Teatrit "Po", të cilën e krijoi 9 vjet të shkuara. Vinte nga emigrimi me iluzionin për një teatër privat. Fillimi ishte entuziast. U prit mirë me "3 shakatë" e Çehovit dhe kaq.


"Po"-ja e Dunit pati të njëjtin fat si ato pak kompani private të teatrit që u themeluan dhe u rrëzuan në afro pesë vite. Dy vepra në një dekadë që Duni e justifikon me vështirësinë e gjetjes së lekëve, janë të dhëna skandaloze dhe tregues të gjendjes së teatrit në Shqipëri. "Është i vështirë sigurimi dhe menaxhimi i parave.

Nuk mjafton të kesh vetëm një kompani teatrore për të vënë një shfaqje, duhen edhe sallat", shton ai.


Duke e mbyllur, në prani të pjanistit Genti Rushi i cili ngjitet këtë herë në skenë si aktor, regjisori tha se "Shpellarin" dëshiron ta mbajë në repertorin e tij si aktor.


Jeta dhe tradita rome në ekspozitë


Shoqata e komunitetit minoritar më të madh në Shqipëri "Roma Active Albania" hapi në Muzeun Historik Kombëtar ekspozitën "Jetë dhe traditë Rome".

Ekspozita që do të qëndrojë e hapur deri më 9 mars tregon aspekte të jetës së komunitetit, nëpërmjet fotografive, objekteve, veshjeve tradicionale.

Këto të fundit janë realizuar nga gra të këtij komuniteti në qytete të ndryshme të Shqipërisë. Ekspozita është mbështetur nga Ministria e Punëve Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta.

 

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›