E Shtunë, 31 Tetor 2026

Lista e zgjedhësve, si gjendet emri on-line

Ministria e Brendshme publikon listën e zgjedhësve në faqen e saj zyrtare

TIRANË- Ministria e Brendshme ka publikuar dje on-line listat e zgjedhësve të Republikës së Shqipërisë, ku për secilin zgjedhës përcaktohet adresa e saktë dhe qendra e votimit. Zv.ministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, deklaroi dje se të gjithë qytetarët e interesuar kanë mundësinë që, nëpërmjet faqes së internetit, mund të gjejnë emrin e tyre me një klikim në listën e zgjedhësve në internet.


Në listat e afishuara në këtë faqe, shtetasit do të mund të gjejnë adresën zgjedhore, qendrën e votimit ku do të votojnë, si dhe njësinë përkatëse. "Të gjitha listat e gjeneruara, tashmë janë në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile, on-line, apo në aplikimin elektronik që u është dërguar të gjitha njësive dhe presim që, duke filluar nga data e sotme, të fillojë publikimi i tyre dhe më pas njoftimi i shtetasve, po në format elektronik të standardeve të larta.


Kjo listë, duke filluar nga dita e sotme (dje) është e vlefshme edhe për Komisionin Zgjedhor Qendror",- tha Poni. Te gjithë shtetasit e interesuar duhet të futen në faqen zyrtare të Ministrisë së Brendshme www.moi.gov.al. Në të djathtë të kësaj faqeje, është një dritare e titulluar "lista e zgjedhësve".


Të gjithë qytetarët e interesuar, mund të klikojnë pikërisht në këtë dritare. Duke përdorur butonat në krahun e majtë, qytetarët do të kenë mundësi të konsultohen me listat, duke shënuar emrin e plotë dhe jo më shkurtime, mbiemrin që mbajnë në regjistrin e gjendjes civile, dhe atësinë.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›