Pemë ulliri 450-vjeçare në Presidencë
Vështirë të dallosh se ku mbaron gjelbërimi dhe ku nis imitimi i tij nëpër kangjellat e oborrit të Presidencës. Gjysma e tyre është e mbuluar nga një reklamë me bimë zbukuruese, si telajo gjigante, identike me ato kacavjerrëset e vërteta që përhapen në gjysmën tjetër të rrethimit. Prej disa javësh diçka po ndodh përtej atyre hekurave dhe dyshimi përforcohet nga punëtorët me uniformë të Bashkisë së Tiranës, të cilët hyjnë e dalin nga porta kryesore, e siguruar me kamera dhe ushtarë. Vëzhgimi përballë Presidencës mbaron shpejt me portën e mbyllur, por anash godinës gjethet e bimëve të tkurrura e zverdhura nga vjeshta kanë krijuar paksa hapësirë për “sheshpamje”. Lëvizjet e punëtorëve brenda oborrit ngjajnë si rebus nga larg, por duke u afruar enigmat sa vijnë e zbehen…
Rikonstruksioni me donacione
Pllaka oborri që zëvendësohen, pemë që mbillen, bar që shtrohet si tapet, llamba që montohen etj. Duket si rikonstruksion. Ajo çfarë sheh, thjesht ka nevojë për konfirmim zyrtar, ashtu si edhe shuma e investimit. “Është e vërtetë që po rikonstruktohet oborri i Presidencës në 6 mijë metra katrorë, por kostoja në buxhetin e shtetit është zero. Gjithçka është bërë me donacione nga kompani private, duke filluar që nga projekti i përgjithshëm i rikonstruksionit, që është dhuratë nga arkitekti i njohur në Europë dhe SHBA, Italo Rrota”, bëjnë me dije burimet presidenciale, duke treguar njëkohësisht edhe emrat e tjerë të donatorëve. “Fiera del Levante” është një ndër ta që së bashku me rajonin e Pulias, e kanë hijeshuar oborrin e godinës së kryetarit të shtetit me simbolin e paqes, një pemë ulliri 450-vjeçare në shenjë të miqësisë shekullore mes dy vendeve. Gjithashtu, “Fiera del Levante” ka modernizuar sistemin e ujitjes, ndërsa me punimet për rikonstruksionin e oborrit, ndriçimin, shtrimin e pllakave të reja, të mermerta, të bardha, ka ndihmuar kompania “Vega”. Dhuratat vijojnë me 3 skulptura nga artisti i famshëm Helidon Xhixha, me gjelbërimin nga firma “Garden Line” dhe deri te puna vullnetare e Ndërmarrjes Nr.1 të Bashkisë së Tiranës, që drejtohen nga Shemsi Aga. “Gjithçka po na bëhet dhuratë në këtë 100-vjetor të Pavarësisë së Shqipërisë, ku meritë të veçantë si iniciator në ide, në organizim, koordinim dhe në ndjekjen e punimeve, ka vetë sekretari i Përgjithshëm i Presidencës, Bardh Spahia”, thotë zëdhënësja e këtij institucioni, Irma Toptani, duke theksuar se rikonstruksioni i plotë do të përfundojë para datës 28 Nëntor.
Si ishte
Duket se edhe pak punë ka mbetur tashmë pas “aksionit” rikonstruktiv për disa javë me radhë të godinës që është ndërtuar në fillim të viteve ’50. Në mes të oborrit, një shatërvan i bukur pret nga ora në orë që t’i lidhen tubacionet për ujin, teksa disa punëtorë shtrojnë tapetin e barit përreth dhe mbjellin lule e pemë. Nga Presidenca konfirmohet se është hera e parë që ky institucion rikonstruktohet totalisht në të gjithë sipërfaqen e jashtme. “Oborri ishte i shtruar me copa pllakash si të trotuareve të zakonshme, ku shumica ishin të dala ose të thyera. Plot me gropa uji. Gjatë pastrimit janë nxjerrë katër kamionë me mbeturina me bar të vjetër, bimë të degraduara, pemë e degë të thyera, qese plastike, shishe, kondicionerë të prishur, llambadarë të hedhur, skelete makinash, lëndë inerte të ndryshme etj. Janë eliminuar bimët kacavjerrëse nga rrethimi ballor i institucionit, me qëllimin e hapjes ndaj qytetarëve. Javën e ardhshme Presidenca është gati të shfaqë pamjen e re në 100 vjet shtet”, shprehet zëdhënësja e Presidentit, duke shtuar se gjendja e kësaj godine ka qenë “vërtet e mjerueshme”.
Helidon Xhixha
Në oborrin e Presidencës do të vendosen edhe tri monumente skulpture moderne në inoks, të realizuara nga njëri prej skulptorëve shqiptarë më të suksesshëm jashtë vendit, Helidon Xhixha. Që të trija, dhuratë nga vetë ai. Në fakt, për Xhixhën nuk ka nevojë për sqarime presidenciale, pasi është ndër artistët më të famshëm shqiptarë në botë. Ai ka fituar të drejtën për vendosjen e monumenteve në sheshin e ri të rajonit të Lombardisë, konkursin për realizimin e monumentit në një shesh në Piaçenca, si dhe konkursin për monumentin e Kalit të Ferrarit në sheshin “Maranelo”.Italo Rrota
Projekti i look-ut të ri presidencial shqiptar është bërë nga një studio italiane në Milano, që ka realizuar edhe rikonstruksionin e disa vilave qeveritare në Itali. Sistemi i ndriçimit të jashtëm të godinës është konceptuar e krijuar tërësisht i ri, falë asistencës së studios së arkitektit italian me famë ndërkombëtare, Italo Rrota. Ky është mjeshtri i madh, i cili ka realizuar ndriçimin e Katedrales “Notre Dame” në Paris, Vilën Noveçento në Milano, si edhe shumë prej shtëpive të modës dhe ambienteve nëpër botë të stilistit të famshëm Roberto Kavali.
ELISABETA ILNICA