E Diel, 1 Nëntor 2026

Burrel, familja Sata pret festat në qiell të hapur

BURREL- Festat e fundvitit shihen si ditë të një atmosfere të vecantë, ku familjet mblidhen sëbashku, në tryezën e Krishtlindjeve si dhe të Vitit të Ri, e ku prindërit kujdesen për dhuratën që fëmijët do të gjejnë poshtë pemës.

Por nuk mund të thuhet e njëjta gjë për familjen Sada në qytetin e Burrelit, e cila këto festa do t’i kalojë në qiell të hapur. Në të vërtetë po të dëgjosh me vëmendje historinë e kësaj familje, do të kuptosh se festat nuk kanë patur shumë vend në kalvarin e gjatë të përpjekjeve të tyre për mbijetesë.

Kryefamiljari Dilaveri prej 12 vitesh është i paaftë fizikisht për të punuar, invalid, ndërkohë që edhe gruaja e tij, Besnike, e ka të pamundur të gjejë një punë. Në të tilla kushte, prej 12 vitesh kjo familje ka mbetur me rroba në krah, duke lëvizur sa nga një banesë në tjetrën me qera minimale.
Këto ditë shqetësimi i një hapësire për të jetuar është rikthyer për këtë familje, pasi dhomën me qera që ata mund t’ja lejonin vetes, tashmë ja kërkojnë pronarët.

Me një ndihmë ekonomike, e cila edhe për tu ushqyer nuk del, sot kur këmbanat e festës dëgjohen ngado, kjo familje godet këmbanat për ndihmë, pasi gjendet në mes të katër rrugëve. Edhe pse i është drejtuar herë pas here pushtetit vendor dhe organeve të tjera kompetente për t’i vendosur diku si të pastrehë, askund nuk kanë marrë përgjigje.

Djali i kësaj familje, tashmë 12 vjec, duke ju dridhur buza thotë se që kur ka lindur ai është endur me lecka në krahë, dhe se tani nuk mendon për lodra si të gjithë bashkëmoshatarët e tij, por se si do të kalojë natën jashtë nën rreshjet e shiut që sapo kanë filluar.

E teksa udhëtimi drejt një kohe e cila nuk njeh të ardhme, por vetëm vuajtje që zgjatet në kohë vazhdon, familja Sada ndodhet sërish në rrugë. Më shumë mundësi do kenë zënë ndonjë tendë sa për të kaluar natën, me shpresën që e nesërmja, të paktën t’i ofrojë tre fëmijëve një jastek ku të mbështeten për të thurrur ëndrrat.

(e.n/news24/BalkanWeb) Lidhje te tjera VIDEO: Burrel, familja Sata pret festat në qiell të hapur

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›