Burrel, përkeqësohet gjendja e grevistit 74-vjeçar

Është përkeqësuar gjendja e grevistit në Burrel. 74-vjeçari Haredin Rami prej gjashtë ditësh ka hyrë në grevë urie përballë ambienteve të prokurorisë së Burrelit duke ndërmarrë aktin e protestës për manipulimin që sipas tij i kanë bërë dosjes zyrtarët e organit të akuzës. Kjo çështje e zvarritur nëpër dyert e institucioneve të drejtësisë, e ka detyruar të moshuarin që të zgjedhë rrugën e ngujimit, atë të grevës së urisë si shpresa e fundit që do të zgjidhë problemin e tij. Haredin Rami thekson se është ngujuar, pasi prokuroria e Burrelit nuk i ka dhënë të drejtën që i takon lidhur me një çështje pronësie. Mjekët kanë mbërritur në ambientet e organit të akuzës, ku kanë kryer edhe kontrollet përkatëse shëndetësore të grevistit, ndërsa theksojnë se situata e tij nuk është e mirë. Sipas tyre, 74-vjeçari ka ulje të vazhdueshmë tensioni, të vjella si dhe dhimbje koke, ndërkohë edhe pse një ambulancë ka qenë e pranishme gjatë ditës së sotme, Rami nuk ka pranuar të marrë asnjë lloj mjekimi. 74 vjeçari thekson se do të jetë i vendosur të qëndrojë në të tilla kushte deri sa çështja e tij të zgjidhet, pavarësisht se situata e tij shëndetësore po vazhdon të përkeqësohet çdo ditë e më shumë.