E Shtunë, 31 Tetor 2026

Burreli, treni i fundit për Gramozin

Nga Kristi Lilo

Kolonjarëve u duhet të marrin patjetër 3 pikët nesër në fushën e tyre

Kolonjarët e kanë gjithmonë dhe më të vështirë të marrin pikë në transfertë. Tifozët e Gramozit e prisnin me interes përfundimin e ndeshjes me Butrintin në Sarandë, duke shpresuar për një rezultat pozitiv, por në fund kanë mësuar humbjen e radhës. Edhe pse ekipi kishte mungesa, ata besonin për një pike, por Gramozi ka gabuar përsëri dhe i ka vështirësuar më tepër pozitat. Reparti i mbrojtjes, pa 3 titullarë, ka bërë më shumë gabime.

Gramozi është ndëshkuar që në minutën e parë dhe në pjesën e parë nuk ka mundur të dalë në lojën e tij, madje ka pësuar edhe një gol të dytë. Gjërat kanë ndryshuar në pjesën e dytë, kur kolonjarët e kanë hapur ndeshjen me golin e Hysollit, por vetëm kaq. Trajneri Ilir Qirjako fajëson mbrojtjen për humbjen e fundit. Mbrojtja gaboi dy herë dhe ne pësuam dy gola.

Krijuam më shumë raste se vendësit, por ata i shfrytëzuan shumë mirë gabimet tona, duke e gjetur mbrojtjen tonë të papërgatitur, sepse lojtarët e këtij reparti kërkonin të shikonin më shumë nga sulmi. Goli i pësuar që në minutën e parë bëri që mbrojtja jonë të çorientohej. Natyrisht që mungesa e tre lojtarëve titullarë në këtë repart ndikoi në këtë humbje. Për pjesën e dytë mund të them se ka qenë e bukur, me lojë të rrjedhshme nga ana jonë. Rastet për shënim nuk munguan, por përsëri sulmuesit tanë nuk ditën ti shfrytëzonin.

Nuk e meritonim humbjen me atë që dhamë në fushë. Megjithatë, është rezultati ai që të bën të mendosh për të ardhmen. Gramozi ka nevojë për përforcime në të gjitha repartet, veçanërisht në sulm. Gjatë gjithë fazës së parë, i vetmi gol i shënuar nga sulmi ishte ai në Sarandë nga Hysolli. Na pret një takim i vështirë në fushën tonë me Burrelin dhe duhet të fitojmë patjetër. Shpresoj që në mesjavë, duke pasur ekipin të plotë dhe mbështetjen e tifozërisë kolonjare, të kthehemi te fitorja e munguar prej shumë javësh, ka theksuar trajneri i Gramozit, Ilir Qirjako.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›