Canka: Në Kukës, një ndeshje e fortë rivalësh
Sulmuesi i Lushnjës, Mikel Canka, shpreson ti shërbejë skuadrës edhe në ndeshjen e nesërme, duke shënuar gol
Skuadra lushnjare nuk ka bërë asnjë ditë pushim, pasi edhe të dielën ka qenë në stërvitje, duke u angazhuar në përgatitjet për ndeshjen e fundit të fazës së parë. Nesër Lushnja luan transfertën e vështirë të Kukësit, një rival i drejtpërdrejtë i saj. Lushnjarët fituan me Adën të shtunën që shkoi, kur kanë harxhuar shumë energji, që duhen rikuperuar deri nesër, ndërkohë që kundërshtari nuk luajti në fundjavë dhe është më i freskët.
Verdhejeshilët kanë arritur atë që nuk kishin bërë asnjëherë gjatë historisë së tyre, 8 fitore radhazi. Është një sukses i udhëhequr nga trajneri Sajmir Malko dhe ndihmësi i tij Dritan Çuko, pa lënë mënjanë edhe aktorët në fushë, të cilët meritojnë përgëzime, duke nisur që nga portieri Bejte e deri te sulmuesi Mikel Canka, me 9 gola të shënuar. Dygolësh i tij ndaj Adës në shtëpi, ndërsa goli i 3-të është shënuar nga mesfushorin Byzhyti. Lushnja nuk është ndalur dhe takimi i radhës është një tjëtër sfidë, që duhet kapërcyer me sukses.
Mikel Canka beson te forca e skuadrës së tij dhe mendon se ajo do të marrë rezultat pozitiv edhe në Kukës. Është bukur të jesh pjesë e diskutimeve në të gjithë qytetit tënd. Jam shumë i kënaqur për Lushnjën dhe për veten. Mendoj se e meritojmë më shumë sesa kaq, por kampionatin e nisëm dobët. Kemi një ndeshje të vështirë përpara dhe kam mndimin se do të japim sërish maksimumin tonë në Kukës. Është kundërshtar i vështirë dhe është ndeshje shumë e fortë rivalësh. Ne do të japim më të mirën në fushën e blertë, kjo është e sigurt, – ka thënë sulmuesi Canka.
Grumbullimi Sekretari i klubit lushnjar, Judmir Shurdhi, konfirmon edhe grumbullimin e skuadrës për takimin kundër kuksianëve. Skuadra do të zhvillojë nesër (sot) një seancë stërvitore paradite, ndërsa rreth orës 14:00 do të niset për tu grumbuluar në një nga hotelet e Kukësit. Është i domosdoshëm ky grumbullim, ashtu si para çdo ndeshjeje të transfertë. Kemi besim se skuadra do të luajë me maksimumin e forcave të saj për të marrë pikë në Kukës,- u shpreh sekretari Shurdhi.
