Besa synon të 5-ën radhazi në Gramsh
Fundi i fazës së parë po tregon se Besa po ngrihet gradualisht në nivelin e kërkuar dhe, ashtu siç e ka thënë edhe trajneri i saj, Gugash Magani, po tregon vlerat e një pretendeti të denjë për superligën. Kavajasit kanë fituar me vështirësi ndaj Ilirisë, por ato që janë të rëndësishme në këtë moment janë pikët. Besa ka vetëm fitore në javët e fundit dhe synon që ta mbyllë fazën e parë me një tjetër trepikësh, që duhet ta marrë në fushën e vështirë të Gramshit.
Gjendja është e mirë dhe janë të gjitha mundësitë për fitore edhe në këtë transfertë, pasi Besa i ka kualitetet që ti zgjidhë edhe situatat e vështira. Skuadra kavajase mban aktualisht vendin e 5-të, që do të thotë se është jashtë objektivit, por përpara është edhe faza e dytë, ku kuptohet që llogaritë duhen bërë me laps në dorë.
Trajneri Gugash Magani ka theksuar se skuadra po arrin nivelin që ai pretendonte që në fillim, por gjithashtu pranon se Besa ka nevojë për pak përforcime. Megjithatë, për merkaton ka kohë, pasi tani të gjithë janë të përqendruar te sfida me Gramshin, ku një fitore e mundëshme do të kishte vlera të mëdha për kavajasit.
