E Diel, 1 Nëntor 2026

Burri, gruaja dhe dashnori, trekëndëshi që nuk funksionon në ishull

TIRANË- Katër personazhe që përfundojnë në një ishull dhe përballem me situata të pazakonta është ajo çka Teatri Kombëtar i Komedisë, sjell për publikun në premirën e tij të parë për këtë sezon, “Kasollja e vogël”. 

Vepra e e autorit Andre Roussin, vjen për herë të parë në skenën shqiptare, nga regjisorja Sesilia Plasari. Ngjarjet e pazakonta shtrojnë pyetje mbi natyrën njerëzore, raportin e individit me veten dhe bashkësinë, marrëdhënien në çift, etj, të cilat mund të përmblidhen në dilemën e madhe filozofike: Të kesh apo të jesh? Çfarë është më e rëndësishme? 

Genc Fuga, Lulzim Zeqja, Ina Gjonçi e Florian Agalliu janë aktorët që do të sjellin për publikun situatat ekstreme që ndodhin në një ishull, kur vihen në provë bindjet e tyre morale. 

Ai është financier i suksesshëm në Paris. Ajo është një ish-këngëtare, tani gruaja e bukur e financierit. Ndërsa tjetri është njëkohësisht miku më i mirë i burrit dhe i dashuri i gruas. Prej gjashtë vjetësh ky trekëndësh funksionon për mrekulli, derisa anija me të cilën udhëtojnë të tre mbytet dhe ata e gjejnë veten të mbijetuar në një ishull, që duket i pabanuar. 

Ajo që për çiftin e bashkëshortëve është parajsa në tokë, për dashnorin është ferri vetë. Përveç se është privuar nga takimet dashurore të ditës, këtu në ishull, ai është i detyruar të jetë dëshmitar i afeksionit dhe romancës së rigjallëruar të çiftit. Trekëndëshi nuk funksionon më. 

Plasari ka zgjedhur që veprën mos ta sjell në formën e groteskut, në formën e përqeshjes së personazheve për të qënë më komikë, por regjisorja, e tërheq fillin e kësaj komedie për nga marrja dhe trajtimi me sinqeritet dhe dinjitet i problematikave.
“Dua që kjo pjesë ta bëjë spektatorin kryesisht të reflektojë, gjithë duke e argëtuar. Duke ndërmarrë rrezikun në sy, ne po tentojmë të mos bëjmë humor për humor. Ndoshta do qeshet më pak, por shpresoj se do mendohet dhe ndjehet më shumë”, është shprehur Sesilia Plasari.

TKK “servir” shfaqjen e parë të sezonit artistik, në fund të tij. Për shkak të problemeve financiare, që ky institucion i ka deklaruar më parë, premira e parë do të jetë një bashkëpunimi me Ambasadën Franceze në Shqipëri. “Kasollja e vogël” është luajtur mbi 1500 herë në Francë dhe tashmë ajo vjen për herë të parë në skenën shqiptare, në TK çdo të enjte, të premte, të shtunë e të diel.
(e.m/ata/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›