Burrneshat shqiptare në mediat e huaja

Fotografja britanike Jille Peters ka vizituar zonat malore të Shqipërisë, me synimin e vetëm për të fiksuar përmes fotosh portretet “burrnesha” të femrave shqiptare, ato të cilat e kanë jetuar gjithë jetën si burrat, për arsye që lidhen me kulturën dhe shoqërinë e tyre.
Seria e fotografive të titulluar “Sworn Virgins of Albania” (Virgjëreshat e përbetuara të Shqipërisë) diteve te fundit eshte publikuar edhe nga disa media ndërkombëtare.
Kjo traditë ka lindur në mënyrë që familjet pa trashëgimtar mashkull të ruajnë pasurinë familjare, kështu që vajza rritet si djalë.
Shumë prej grave janë shprehur se që në lindje ishin destinuar për të jetuar si burra pasi familja u vuri emra meshkujsh. Kjo ishte një mënyrë për familjet e këtyre viseve për t’iu shmangur kodeve të vjetra që qeverisnin klanet fisnore dhe e cilësonin gruan si pronë të burrave. Në fakt në mjaft zona të vizituara nga fotografi, në të kaluarën liria për të votuar, për të drejtuar makinën, për të punuar dhe siguruar para, për të pirë alkool, duhan dhe për të veshur pantallona ishte e drejtë vetëm e meshkujve. Vajzat e reja shpesh ishin të detyruara të martoheshin me shkesi me burra shumë më të moshuar nga fshatra të largët. Kthimi në burra ishte një alternativë për mjaft gra, për të fituar ato privilegje që i gëzonin vetëm meshkujt. Për të manifestuar këtë prirje të re, gratë prisnin flokët shkurt dhe visheshin si meshkuj dhe jetesa mashkullore bëhej kësisoj një natyrë e dytë e tyre. Por më e rëndësishmja, një mënyrë e tillë jetese ishte një kusht që këto gra të zgjidhnin beqarinë e përjetshme. Dhe rezultati, ajo bëhet ai. Kjo praktike ka qenë e përhapur në të shkuarën, por fenomeni ndoshta shumë i kufizuar, vihet re edhe sot. Fotografi britanik konstaton se nga e kaluara tashmë kanë mbetur shumë pak burra-gra. /Indeksonline/