E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bursa 360 gradë

 

Për vërejtje dhe sugjerime shkruaj në

Erebara.gjergj@gmail.com

Politika kundër Euros

Votuesit irlandezë nuk ia kishin idenë se për çfarë po votonin dje dhe për këtë shkak vendosën të hedhin poshtë Traktatin e Lisbonës, në një çast me të vërtetë historik për Bashkimin Europian. Rezultati i referendumit në Irlandë ra rëndë mbi monedhën e përbashkët europiane, Euro, e cila për këtë shkak humbi gati 1% të vlerës kundrejt dollarit e po aq kundrejt poundit britanik, duke shënuar vlerën më të ulët në tre muaj. Zakonisht, tregtarët i mbajnë sytë nga Banka Qendrore Europiane për të vendosur nëse do të shesin apo do të blejnë euro. Dje, të dhënat ekonomike nuk ndihmuan aspak në vendimmarrjen e tyre. Traktati i Lisbonës është dokumenti zëvendësues i projektit të dështuar për Kushtetutën e përbashkët Europiane. Dështimi i këtij projekti në Irlandë, hedh hije paqartësie edhe në vetë unifikimin e mëtejshëm të BE-së. Dobësimi i Euros kundrejt dollarit shihet si një shpëtim nga rritja e mëtejshme e çmimit të naftës.

Spekulantët humbasin bastin te nafta

Spekulantët duket se dolën të humbur javën e kaluar në tregtinë e tyre me naftën, pasi parashikuan gabim të ardhmen, njoftoi “Financial Times”. Sipas të dhënave nga bursa e Nju Jorkut për mallrat shumë spekulantë prisnin që çmimi i naftës të ulej, por në fakt, çmimi u rrit me 16.24 dollarë, në më pak se 36 orë. Të kapur në bastin e gabuar, shumë investitorë u detyruan të mbulojnë me humbje pozicionet e tyre në fillim të javës.

Tregtia në bursat ndërkombëtare sot nënkupton më së shumti tregtimin e rrezikut sesa të mallrave. Investitorë që nuk kanë naftë as për të shitur, as për të blerë, blejnë apo shesin “të drejta nafte”, impulse elektronike që nënkuptojnë tregti reale. Synimi i investitorëve është që këto “të drejta” të shiten në një moment të dytë, kur çmimet të jenë të leverdishme. Ky, në fakt, është një lloj basti. Të parashikosh ecurinë e çmimeve të mallrave apo aksioneve, është e përafërt me parashikimin e rezultateve të ndeshjeve sportive. Së paku, gjatë javës së fundit, shumë bastexhinj burse dolën të humbur. Investitorët spekulantë janë akuzuar gjatë kohës së fundit si përgjegjës për rritjen e çmimit të naftës, por Sekretari Amerikan i Thesarit, Hank Paulson, deklaroi se “nuk e besonte si të vërtetë” një akuzë të tillë. “Investitorët financiarë nuk janë vetëm blerës apo vetëm shitës, ata nuk përcaktojnë ecurinë e çmimeve, thjeshtë sa e ndjekin atë”.

Bursat kineze rrëzohen nga inflacioni

Aksionet në bursat e Pacifikut shënuan javën e tyre më të keqe në dhjetë muaj si pasojë e inflacionit që ka mbërthyer Kinën dhe pjesën tjetër të rajonit, si edhe si pasojë e çmimeve të larta të naftës. Vlera e aksioneve në Shangai, ra me 14.4% gjatë javës së fundit, ndërkohë që vlera është përgjysmuar që nga tetori i vitit të kaluar. Gjiganti i naftës, “PetroChina”, kompania e dytë më e madhe në botë e këtij sektori, humbi rreth 15% të vlerës, kryesisht për shkak se kjo kompani e ka të ndaluar nga qeveria të rrisë çmimet me pakicë. Kompanitë e transportit detar nga Japonia dhe Australia pësuan gjithashtu humbje të rënda. Ecuria e bursave aziatike konsiderohet si një tragjedi e vërtetë për popujt e rajonit, por edhe si shpëtim për popujt e hemisferës perëndimore. Nëse Kina do të ketë krizë financiare, çmimi i naftës mund të përgjysmohet brenda pak kohësh.

Rubrika e bursës rikthehet te “Shekulli” të shtunën e ardhshme

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›