E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria, taksa zero për bionaftën

 

Një ligj i ri parashikon që deri në vitin 1010, 5% e naftës që konsumojmë aktualisht, të jetë me burim të rinovueshëm

Biokarburantet do të përjashtohen nga taksat doganore, nga akciza dhe nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar

Bionafta dhe tregtia e karbonit me projekte të energjisë së rinovueshme, deri më tani kanë qenë “fenomene të perëndimit”. Duket se së shpejti do të bëhen edhe realitet shqiptar. Një ligj i ri, që ka hyrë në fuqi së fundmi, ka vendosur objektivin e mbulimit të 5% të konsumit të naftës në vend me karburante biologjike, brenda vitit 2010, si dhe plotësimin e 15% të nevojave rreth vitit 2015. “Objektivat duken tepër optimiste”, - tha një ekspert i fushës. Miratimit të ligjit i bëri jehonë faqja web e Komunitetit të Energjisë, një institucion europian, e cila ofron edhe një variant anglisht të këtij ligji. Prodhimi i biokarburantit, i cili është një përzierje e naftës konvencionale me lëndë të përfituara nga kulturat bujqësore, si misri, do të kryhet vetëm pas licencimit paraprak të të interesuarve nga Ministria e Energjisë dhe Tregtisë.

Zero taksa për bionaftën

Sipas ligjit, bionafta, që ka për destinacion përdorimin nga makinat, si dhe lëndët e para për prodhimin e tyre do të përfitojnë lehtësira të bollshme fiskale me qëllim që të jenë konkurruese në treg. Sakaq, është përcaktuar që deri në vitin 2018, taksa doganore, TVSH-ja dhe akcizat të jenë zero. Edhe taksat për makineritë dhe lëndët e para në përdorim për të mbjellë bimët nga prodhohet bionafta, do të përjashtohen nga TVSH dhe taksat doganore deri në vitin 2012. Sakaq, disa kompani mësohet se kanë shfaqur interes për të hyrë në këtë treg që sapo ka filluar të krijohet.

Tregtia me ajrin

Së bashku me Ligjin për Bionaftën, Shqipëria ka krijuar edhe një mekanizëm tjetër, atë të certifikimit të prodhuesve të energjisë së rinovueshme. Deri tani, gjashtë kompani private kanë marrë sakaq “kualifikimin” nga Enti Rregullator i Energjisë elektrike si “prodhues të energjisë së rinovueshme”, duke shënuar nisjen e përfitimit shqiptar nga Sistemi i Tregtimit të Emisioneve (CDM). Për fat të keq, duket se shqiptarët nuk e kanë kuptuar ende këtë lloj tregtie, sepse të gjitha kompanitë e “kualifikuara” deri tani, janë nën pronësi të huaj. Sistemi i Tregtisë së Emisioneve të Gazrave të Dëmshëm, krijuar nga Protokolli i Kiotos, ka bërë që kompani nga Gjermania apo vende të tjera të zhvilluara, të paguajnë para te prodhuesit e energjisë së rinovueshme në vende të tjera. Sipas një emisioni radiofonik të “BBC”-së, ky sistem ka krijuar një treg të rremë prodhimi energjie. Së paku në një rast të zbuluar nga “BBC”, një investitor po ndërtonte një hidrocentral në Indi, ku nuk do të prodhonte energji në sasi të konsiderueshme, por do të përfitonte nga sistemi CDM. Gjatë vitit të kaluar, ky sistem ka krijuar një treg global prej 4.6 miliardë eurosh. Hidrocentrali i Kalivaçit dhe projekte të tjera, që sot për sot janë ende vetëm në letër, kanë aplikuar dhe kanë marrë “licencën shqiptare të energjisë së rinovueshme”. CDM, që i përkthyer në shqip do të thotë, Mekanizmi i Zhvillimit të Pastër, është sot një lloj monedhe. Një CDM është e barabartë me 1 ton emisione dioksidi karboni. Çdo ton dioksid karboni kushton aktualisht 27 euro.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›