E Diel, 1 Nëntor 2026

Skafi me 600 kg hashash, 60 vjet burg autorëve

 

Prokuroria e Krimeve të Rënda zbardh trafikun e drogës me skaf drejt Italisë

TIRANË- Prokuroria e Krimeve të Rënda, në aplikim të gjykimit të shkurtuar kërkoi nga togat e zeza dënimin me 60 vjet e 6 muaj burg për nëntë të pandehurit që tentuan të dërgojnë në Itali rreth 600 kg hashash. Asokohe, trafiku do të kryhej me ndihmën e një skafi të fshehur në fshatin Kaninë të Vlorës. Prokurori i çështjes, Behar Dibra, menjëherë pas pranimit të kërkesës për shqyrtimin e dosjes lexoi konkluzionet përfundimtare, duke kërkuar deklarimin fajtor të nëntë të pandehurve për kryerjen e veprave penale të “trafikimit të lëndëve narkotike” në bashkëpunim, më shumë se njëherë, të mbetur në tentativë. Sipas kërkesës së prokurorit, i pandehuri Marenglen Halka dhe Piro Bregu të dënohen secili me nga 8 vjet heqje lirie, duke u cilësuar si organizatorët e këtij trafiku. Për të pandehurit Toni Kushi, Petraq Lala, Sokol Resulaj dhe Taulant Kapllani prokurori kërkoi dënimin e tyre me nga 6 vjet e 8 muaj secili. Ndërsa për të pandehurit Albert Binjaku, Denis Mernica dhe Artur Rrumbullaku u kërkua dënimi i tyre me nga 4 vjet e 8 muaj burg secili. Pas leximit të konkluzioneve të prokurorit, trupi gjykues i kryesuar nga gjyqtari Fran Prendi ndërpreu seancën gjyqësore për t’i lënë kohë avokatëve mbrojtës të përgatisin pretendimet përfundimtare. Sipas prokurorisë, nëntë të pandehurit, në bashkëpunim me njëri-tjetrin dhe në ditë të ndryshme kanë tentuar të nisin një gomone me 250 kuaj fuqi të gjetur në fshatin Kaninë të Vlorës, të ngarkuar me 344 kg hashash. Ndërsa disa nga këta të pandehur janë arrestuar pranë Pusit të Mezinit bashkë me makinën me të cilën po udhëtonin, të tipit “Ford” me ngjyrë të bardhë, me targa VL 0817 B si dhe makina që po e shoqëronte këtë furgon, një auto-veturë “Peugeot” ngjyrë blu, me targa Vl 6805 B, brenda të cilave kishte 256 kg hashash që po dërgohej tek kjo gomone që priste të nisej për në Itali.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›